Osmani: Personalisht jam angazhuar për lirimin e Morinës

Zv/Kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani ka deklaruar se nga “dita e parë është angazhuar për lirimin e ish-ushtarit të UÇK-së”, Tomorr Morina i cili më 23 korrik 2019 u arrestua në Republikën Maqedonisë së Veriut për shkak të fletarrestit të Interpolit të Serbisë.

Osmani gjithashtu ka deklaruar se dëshiron ta vizitojë Morinën.

“Presë përgjegjësi, kam dërguar kërkesë zyrtare deri tek gjykatësja e cila është përgjegjëse për kryerjen e procedurës të më lejoj që ta vizitoj. Gjatë ditës së sotme do të mundohem të drejtohem deri te institucionet, sepse shihet qartë se nuk ka koordinim mes avokatit të tij, kërkesës për ekstradim etj…”, tha Osmani.

Osmani, gjithashtu ka vlerësuar se Morina duhet të lirohet.

Përndryshe, Këshilli i Gjykatës Penale për krim të organizuar në Shkup ka refuzuar kërkesa për lirimin e Morinës, ka bërë të ditur avokati Naser Raufi. Sipas tij, Gjykata ka refuzuar vendimin me arsyetimin se “bëhet fjalë për shtetas të huaj, i cili në rast të lirimit mund të arratiset”.Nga ana tjetër, ditë më parë kryeministri Zoran Zaev ka deklaruar se, në rastin e Morinës do të respektohet Ligji. Nga ana tjetër Ministria e Drejtësisë së Serbisë ka dërguar kërkesë deri tek Maqedonia e Veriut për ekstradimin e Morinës. Derisa opozita kosovare ka kërkuar lirimin e Morinës.