Osmani për vizitë në Spanjë

Marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimi ekonomik dhe perspektivat evropiane të shtetit do të jenë temat kryesore të bisedimeve të ministrit të Punëve të Jashtme Bujar Osmani në takimet, të cilat sot do t’i realizojë në kuadër të vizitës së punës në Spanjë.

Ai në Madrid do të takohet me ministren spanjolle të Punëve të Jashtme, Bashkimit Evropian dhe Bashkëpunimit, Arança Gonzales Laja. Pas takimit është paraparë konferencë e përbashkët për shtyp të dy ministrave të punëve të jashtme.

Në kuadër të vizitës në Spanjë, siç bëri të ditur Ministria e Punëve të Jashtme, Osmani do të ketë takime edhe me Aurora Mehijan, drejtoreshë për Bashkimin Evropian dhe këshilltarе kryesore në Kabinetin e kryetarit të Qeverisë, Pedro Sançezin, dhe me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Senat, Antonio Guiterez Limonesin. Është paraparë takim edhe me drejtorin e Organizatës Turistike Botërore, Zurab Pololikashvili.

Ministri i Punëve të Jashtme do të ketë takime të ndara dhe me përfaqësues të diasporës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Spanjë.
Osmani paraprakisht ishte në Spanjë, ku me ministrin federal të Punëve të Jashtme, Ignacio Kasis bisedoi për zhvillimin e përgjithshëm të marrëdhënieve midis të dyja vendeve, me fokus të veçantë të ndihmës zhvillimore dypalëshe të Zvicrës ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në Zvicër shefi I diplomacisë realizoi takim me shoqata të shumta të qytetarëve dhe anëtarëve të diasporës sonë nga të cilët kërkoi mbështetje për procesin e Regjistrimit 2021.
Vizitat e punës së Osmanit në Zvicër dhe Spanjë janë pjesë e aktiviteteve diplomatike për prezantim të dosjes evropiane të vendit, por edhe në drejtim të mobilizimit të diasporës sonë për përfshirje në procesin e vetëregjistrimit në kuadër të Regjistrimit 2021, theksoi MPJ-ja.