Osmani: Për pajtimin do të merren për bazë praktikat më të mira botërore

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se Maqedonia në këtë moment ka nevojë për pajtim kombëtar, sepse siç thotë ai, vendi ndodhet para sfidës më të madhe, atë të integrimit në strukturat euroatlantike dhe për këtë çështje nevojitet të shfrytëzohet potenciali nga të gjitha palët.

Osmani, thekson se pajtimi nuk do të thotë amnisti për ata që kanë thyer ligjin dhe kanë ushtruar dhunë gjatë ngjarjeve të 27 prillit të kaluar në Kuvendin e Maqedonisë, megjithëse shton se duhet të gjinden modalitete që të falen ata që kanë qenë të manipuluar të përfshihen në këto ngjarje .

“Vlerësojmë se ideja për pajtim dhe falje, e cila fillimisht u dha nga kryeministri (Zoran Zaev) është fisnike dhe e mirë. Po, ajo se cili do të jetë mekanizmi për të arritur këtë pajtim, do të duhet të shihen praktikat më të mira botërore. Mirëpo ne duhet të përcaktojmë vijat e kuqe të këtij procesi, e ato janë se nuk mundet t’i ikë dënimit dikush nëse ka thyer ligjin ose ka dëmtuar institucionin ose persona të tjerë”.

“Në kuadër të këtij parimi, që është parim bazë i shtetit ligjor dhe Komisionit Evropian, të shihen format dhe praktikat e ndryshme të pajtimit. Por, duhet të shohim praktikat botërore ku njerëz, të cilët ndoshta pa dijen e tyre, kanë qenë dëm kolateral i një kauze të gabuar se a mundet të gjendet bazë për një pajtim dhe mundësi që ata të mund të inkuadrohen në proces. Këtë do ta bëjmë me konsultimin edhe të partnerët tanë ndërkombëtarë”, thotë zëvendëskryeministri Osmani.

Me këtë rast, ai shton se falja dhe pajtimi është praktikë e konfirmuar në vendet anëtare të BE-së, që në prag të anëtarësimit në familjen evropiane të kenë arritur një konsensus të gjerë ndërpartiakë, ndëretnik dhe ndërmjet Qeverisë dhe sektorit civil, me qëllim të konsolidimit të të gjitha potencialeve shtetërore karshi rrumbullakimit të suksesshëm të negociatave për anëtarësim e vendit në BE.

Duke folur për Marrëveshjen e Ohrit, dhe mundësisë që ajo të përfshihet në preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë, Osmani këtë e sheh si një çështje që është në interes të perspektivave të vendit dhe jo si çështje që është në interes vetëm të shqiptarëve.

“Kjo për shkak se Marrëveshja e Ohrit është e vetmja alternativë e cila rregullon raportet ndëretnike në vend. Rregullon aspektin shumetnik të shtetit dhe të shoqërisë, dhe promovon konceptin e zgjidhjes së konflikteve dhe dallimeve ndëretnike me mjete jo të dhunshme”.

“Prandaj mendoj se kjo Marrëveshje, dokumenti kornizë i Ohrit i cili është garantuar nga NATO-ja, SHBA-ja, BE-ja, dhe mbështetet nga shumica e qytetarëve të Maqedonisë, vendin e ka aty ku edhe e meriton, në preambulën e Kushtetutës ku definohen katër elementet konstituive të shtetit. Kjo e bën procesin përfshirës, kjo e bën procesin gjithëpërfshirës, dhe bën që shqiptarët të ndjehen më mirë në shtetin e vet”, thotë në Osmani.

Osmani beson se nuk do të ketë pengesa gjatë realizmit të reformave të prezantuara nga Qeveria si plani 18, reforma këto që kërkohen nga BE-ja, e që kanë të bëjnë me reformimin e sistemit të drejtësisë, atë të sigurisë dhe administratën, si dhe luftën kundër korrupsionit.

“Jemi fokusuar në katër kaptina: është ky gjyqësori, shërbimet e sigurimit, administrata dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thotë Osmani.

Zëvendëskryeministri për Çështje të Integrimeve, Bujar Osmani thotë se pret dhe bashkëpunimin partinë maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE.

“Që kur e përgatitëm planin e Qeverisë për realizimin e reformave në versionin e draftit, unë isha në selinë e tyre, ua prezantova. Më premtuan se do të më japin vërejtje me shkrim. Disa muaj kanë kaluar, ende s’i kam marrë. Patjetër e kam që ta përshëndes faktin se një javë, para javës së fundit, u pajtuan që të votojnë tri ligje, në pjesën e mekanizmit të jashtëm, në pjesën e Agjencisë Teknike Operative, me shumicën prej dy të tretave, dhe kjo do të thotë se opozita tashmë po paralajmëron se do të jetë konstruktive në pjesën e reformave. Kjo më obligon që edhe një herë të shkoj tek ata, pas formalizimit të planit nga ana e Qeverisë, që t’ua prezantoj versionin përfundimtar dhe, edhe një herë të kërkoj mbështetje. Këtë e kemi shans historik që Maqedonia të shkëlqejë në dallim me gjashtë vendet anëtare, megjithatë dhe ta shfrytëzoj mundësinë për të filluar bisedimet”, thotë Osmani.