Osmani për liberalizimin e vizave: “Mesazhi i 23 qershorit i rëndësishëm”

Liberalizimi i vizave dhe mbështetja për intergrimin e Kosovës në BE, kanë qenë dy gjërat kryesore për të cilat presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka diskutuar në ditën e parë të “Forumin e Prespës për Dialog” që po mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Sa i përket liberalizimit të vizave, presidentja Osmani ka thënë se kriteret në këtë aspekt Kosova i ka plotësuar shumë kohë më parë, e të cilat edhe janë rikonfirmuar.

“Përderisa, kjo çështje është në vullnetin individual të shteteve anëtare veç e veç, përgjigjen përfundimtare ta jep Kosova, pasi që ka shumë aspekte që merren parasysh për marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave. Por, asnjëra nuk ka të bëjë me kriteret që duhet t’i plotësojë Kosova sepse janë plotësuar shumë kohë më parë dhe janë rikonfirmuar, madje edhe në sundimin e ligjit’’, ka deklaruar Osmani në një intervistë për RTV Dukagjini.

Presidentja ka shtuar se kjo çështje ka mbetur pezull për shkak të dy tri shteteve anëtare, të cilat vendimin e kanë zvarritur për shkak të zhvillimeve të brendshme dhe e cilëson mesazhin e 23 qershorit si mjaft të rëndësishëm në ndërtimin e një kahjeje që ky proces do të përfundojë.

‘’Nuk ka kërkesa më dhe pyetje për Kosovën. Në fakt çështja kanë mbetur te 2-3 shtete anëtare, që vendimin e kanë zvarritur për shkak të zhvillimeve të brendshme. Pra, insistimi ynë është që të diskutohet për liberalizimin e vizave, por mos të harrojmë që vendimi për këtë liberalizim merret në një votim në format tjetër të Këshillit, ku votojnë ministrat e brendshëm dhe jo në formatin që do të takohet me 23 qershor. Megjithatë, mesazhi i 23 qershorit mund të jetë shumë i rëndësishëm në ndërtimin e një kahjeje që ky proces do të përfundonte’’, ka theksuar Osmani.

Gjithashtu, ajo ka thënë se përpos përkrahjes së shteteve tjera anëtarë dhe më të fuqishme të BE-së, ka vende tjera që nuk japin pwrgjigjen përfundimtare sa i përket kësaj çështjeje.

“Kemi marrë përkrahjen e fuqishme dhe publike të dy shteteve si Kroacia dhe Sllovenia, shtetet e tjera që janë anëtare të Bashkimit Evropian, përfshirë Gjermaninë, si shtetet më të fuqishme të BE-së. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha shtetet anëtare, por ka vende të tjera që akoma nuk jepin përgjigjen përfundimtare çfarë kahje do të japin’’, ka thënë Osmani.

Ajo ka deklaruar se liberalizimi i vizave për Kosovën është vendim i lehtë për Bashkimin Evropian (BE), pasi që sipas saj nuk ka asnjë arsye që vendimi i tyre të zvarritet. Sipas saj, është momentum shumë i rëndësishëm pasi më 23 qershor në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, që do të mbahet në Bruksel, do të jepet një mesazh gjeopolitik në raport me Ukrainën dhe shtetet e tjera, dhe se sipas saj do të jepet edhe një mesazh i rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor si pjesë e Evropës.

“E që për Kosovën kjo nënkupton liberalizimin e vizave në këtë moment po pas disa muajsh, për Kosovën përgjigjja do të duhej të ishte një ‘po’, në raport me status kandidatin”, ka thënë Osmani. Osmani ka thënë se kanë dhënë një mesazh bashkë me presidentët e rajonit që ishin pjesë e Forumit, të cilët e kishin përkrahur Kosovën, sipas saj, jo vetëm për liberalizimin e vizave, por edhe për njohjen e Kosovës dhe integrimin e saj në BE.

Osmani është pyetur se cilat janë gjasat që në këtë mbledhje të jepet një mesazh pozitiv apo kërkesë adresuar institucioneve që e kanë në dorë brenda BE-së këtë çështje, ajo ka thënë se është bërë e ditur që votimi formal nuk do të bëhet, por mesazhi politik në atë samit mund të jepet.

Në samitin e të enjtes së ardhshme, Osmani ka deklaruar se nuk është strategji e mirë që duhen të rriten pritjet, pasi që, sipas saj kanë punuar me shtetet veç e veç, që secila prej shteteve anëtare e njohin kontributin që Kosova është duke dhënë në raport me çështjet globale.

“Nuk besoj që është strategji e mire që të rriten pritjet, kemi punuar me shtetet individuale, shtetet anëtare e dinë që Kosova po kontribuon në raport me çështjet globale, dhe po i zhvillon të gjitha vlerat”, ka thënë Osmani. Ndërsa, sipas saj nuk duhet të paragjykojmë vendimin e tyre politik, pasi që fjalën e fundit do ta japin shtetet anëtare, sipas saj duhet të punohet shumë dhe qytetarët asnjëherë të mos humbasin shpresën, pasi që është padrejtësi e madhe ndaj tyre.

“Fjalën e fundit do ta japin shtetet anëtare, nuk do të doja të paragjykoja se cili do të jetë vendimi i tyre në fund”, ka deklaruar Osmani. Ndërsa, Osmani ka diskutuar edhe për çështjen nëse Kosova do të aplikojë këtë vit për të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian (BE), ku sipas saj, është në planet e tyre që të aplikohet këtë vit