Osmani për ditëlindjen e Ibrahim Rugovës: “Ai na la trashëgim ura miqësie, të cilat i krijoi gjithandej globit”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani përmes një postimi në facebook ka kujtuar ditëlindjen e ish-presidentit historik,Ibrhaim Rugova.

“Në çdo ditëlindje të tij, ne e kujtojmë atë me mallin e respektin që bijtë e bijat e vendit e tregojnë për atin themelues të shtetit të tyre. Por, e kujtojmë edhe si njeri model, skajshmërisht të butë në pamje e në komunikim, por po kaq këmbëngulës e të vendosur në vizionin e tij për ta realizuar ëndrrën e brezave për të jetuar të lirë”.

Osmani ka shkruar se Ibrahim Rugova, bashkë me shumē burra e gra që dhanë gjithçka për këtë vend, e rrënjosën thellë në shpirtrat tanë këmbënguljen për ta arritur lirinë e për ta krijuar shtetin e pavarur.

” Si presidente e vendit do të kujdesem maksimalisht që trashëgimia e tij politike, miqësitë që i krijoi për ne, sidomos ajo me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me vendet e BE-së dhe vendet e tjera demokratike anekënd botës, të ruhen e të kultivohen më tej.Kosova do t’i jetë përherë mirënjohëse këtij kolosi të dijes, të kulturës e të politikës”, ka shkruar Osmani.

https://facebook.com/VjosaOsmaniMP/posts/447891416695403