Osmani: “Nuk ishte provokim hapja e klubit bullgar, por emri i tij” (VIDEO)

Nuk është provokim hapja e klubit bullgar “Vanço Mihjallov” në Manastir, por provokues është emri i kubit. Kështu vlerëson ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe pikërisht për këtë tha se nuk ka marrë pjesë në hapjen e kësaj qendre.

Më tej, shtoi se MPJ dhe Maqedonia e Veriut nuk krijuan alibi që të reagojnë dhe të bien pre e provokimeve, që e njëjta më pas, siç tha Osmani të përdoret para Bashkimit Evropian “se Maqedonia e Veriut nuk i respekton të drejtat e bullgarëve”.

Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme
“Ka pasur të pranishëm gjatë hapjes së klubit që të nxisin provokim, kjo vetëm që të gjendet alibi para BE-së që të thuhet më pas, se këtu në Maqedoninë e Veriut vërtetë shkelen të drejtat e bullgarëve. Ky ishte qëllimi ynë, të mos krijojmë alibi se ne nuk i respektojmë të drejtat e pakicave”.

I pyetur se a do të hapë edhe Maqedonia e Veriut klub në Sofje, Osmani tha se këtë mund ta bëjnë maqedonasit që jetojnë në Sofje, dhe jo Ministria e Punëve të Jashtme. Kujtoi se vendi tashmë ka hapur Qendër Kulturore Informative në Sofje.
Më tej, shtoi se se nuk ka përfshirje të komunitetit bullgar në Kushtetutë, pa nisjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.

Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme
“Ne nuk mund t’i fusim bullgarët në Kushtetutë para se të nisim negociata. Kjo nuk do të ndodh. Vetëm humbim kohë, jo se nuk duam, por nuk mund të ndodh kjo”.
Përndryshe, këto ditë në opinion kishte reagime të shumta, kundër hapjes së Klubit bullgar “Vanço Mihajllov”, gjatë vizitës së delegacionit bullgar në vendin tonë.