Osmani: Nëse vërtetohet se Serbia ka gisht në ngjarjet në veri të Kosovës, do ta rishqyrtojmë pjesëmarrjen në “Open Balkan”

Nëse vërtetohet se Serbia në ndonjë mënyrë është e përfshirë në sulmin në veri të Kosovës, mendoj se duhet të rishqyrtojmë pjesëmarrjen tonë në iniciativën “Ballkani i Hapur”, tha mbrëmë ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

A shtoi se pas ngjarjeve në Kosovë të 24 shtatorit, Serbia duhet të bëjë përpjekje që të dëshmojë se nuk është e përfshirë në atë ngjarje.

“Sepse nëse ka ndonjë ndërhyrje të shtetit, realisht na e bën të pamundur pjesëmarrjen shteteve tjera në rajon, sepse ideja e “Ballkanit të Hapur”, mbi të gjitha ishte pajtimi. Dhe ajo që ndodhi në veri të Kosovës, shpresoj të dëshmohet se nuk ka asnjë përfshirje shtetërore, por nëse vërtetohet, vërtet mendoj se duhet ta rishqyrtojmë pjesëmarrjen tonë”, theksoi Osmani në Tv Telma.

Situata në veri të Kosovës mbetet e tensionuar që kur më 24 shtator, polici Afrim Bunjaku u vra në Banjskë të Zveçanit nga një grup i armatosur serb. Në një aksion pasues, nga përplasja e Policisë me grupin e armatosur mbetën të vrarë tre terroristë.

Për rastin u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan. Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.

Dy ditë më pas Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla publikoi pamje nga droni, e ku shihej Radoçiqi në krye të grupit terrorist.

Më 29 shtator, Millan Radoiçiq e ka marrë përgjegjësinë për organizimin dhe sulmin në Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës.

Ai është marrë në pyetje nga autoritetet serbe më 3 tetor lidhur me zhvillimet në Banjskë, ndërsa është liruar nga mbajtja më 4 tetor.

Serbia pati dislokuar ushtrinë përgjatë kufirit me Kosovën dhe menjëherë ka nxitur reagimet e ndërkombëtarëve që i kanë kërkuar largimin. Ka pasur raportime për tërheqje, por ende s’ka zyrtarizim.

Në anën tjetër, NATO-ja ka shtuar forcat në veri.