Osmani: Në seancën e Qeverisë do të propozoj tërheqjen nga iniciativa Ballkani i Hapur

Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani i cilëson akuzat e opozitës shqiptare për nismën Ballkani i Hapur si përpjekje për të fituar pikë të vogla politike. Njëkohësisht, ai bëri të ditur se në seancën e parë të ardhshme të Qeverisë në të cilën do të jetë temë nisma, do të propozojë daljen nga Ballkani i Hapur.

“Këtë që e bënë opozita është mosnjohje e bashkëpunimit rajonal, mosnjohje e ngjarjeve ndërkombëtare dhe përpjekje për të përfituar nga pikat e vogla politike për tema që nuk i njohin. Kjo është dobësia e tyre më e madhe dhe se nuk e njohin politikën e jashtme. Nuk kanë eksperiencë dhe pretendojnë të hyjnë në të njëjtën ring me njerëz që i kanë kushtuar gjithë jetën kësaj teme”, tha sot Osmani në pyetjen e gazetarëve pas konferencës në MPJ.

Në lidhje me Ballkanin e Hapur, ai sqaroi se kjo ishte më shumë ide e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, si tentativë pajtimi, pra siç tha ai, “një strategji dalje në mënyrë që Serbia të mund të vendos marrëdhënie me Kosovën, duke përfshirë njohjen reciproke”. Sipas tij pas ngjarjeve në Banjskë nuk ka pasur mbledhje ose prezencë tonën në Ballkanin e Hapur.“Në Ballkanin e Hapur ne nuk kemi marrë pjesë pas Banjskës, sepse ky ishte qëndrimi im atëherë, sepse ishte menjëherë pas ngjarjes. Unë thashë nëse vërtetohet se Beogradi është i përfshirë, atëherë realisht e bën të pamundur, sepse ideja e Ballkanit të Hapur ishte ndryshe. Ishte një ide që të krijohej një mundësi për Serbinë dhe Kosovën që dalëngadalë të fillonin të krijojnë parakushte për njohje reciproke dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, si një nga iniciativat krahas bashkëpunimit ekonomik etj. Sigurisht, secili vend theksoi perspektivën e tij. Disa theksuan bashkëpunimin ekonomik, disa theksuan mobilitetin e qytetarëve, disa theksuan pajtimin. Ne, po flas tani si parti politike, nëse mund të them kështu, pamë mundësi pajtimi dhe njohjeje reciproke, sepse kjo ishte ideja e kryeministrit Rama. Megjithatë, kjo me Banjskën vërtet i prishi ato marrëdhënie. Për këtë arsye nuk kam marrë pjesë në ato takime dhe nuk do të marr pjesë”, thotë Osmani.

I pyetur për të sqaruar nëse Maqedonia e Veriut është ende anëtare e Ballkanit të Hapur, ai thotë se është qëndrimi i tij që të mos marrë pjesë në takimet e kësaj nisme.

Ai njoftoi se si kandidat presidencial i Frontit Evropian dhe BDI-së, planifikon të themelojë një iniciativë të re presidenciale, Samitin e harmonizuar të njëqind për qind me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së.(mia.mk)