Osmani: Kjo valë sot, është rezultat i infektimit gjatë orës policore

Ajo që e mësuam nga virusi është se asnjë masë kolektive apo restriktive nuk është më e mirë se vetëdijësimi personal dhe mbrojtja personale e qytetarëve. Vetëm nëse secili kujdeset për shëndetin e vet dhe shëndetin e më të afërmëve, përmes masave shumë të lehta – mbajtja e maskës është masa më e lehtë që mund ta ndërmarrë secili, higjiena personale dhe sjellja, janë mënyra e vetme për t’u mbrojtur. Masat kolektive dukshëm nuk po japin rezultate. Këto raste, kjo valë sot, është rezultat i infektimit gjatë orës policore.

Këtë e deklaroi sot zëvendëskryeministri për Çështje evropiane, Bujar Osmani, i cili në rolin e Koordinuesit nacional të ndihmës së huaj në vend, në qarkun e Spitalit të përgjithshëm të qytetit “8 Shtatori”, i dorëzoi në përdorim respiratorët të cilët i siguroi Norvegjia si donacion.

Ai përsëriti se për parandalim të përhapjes së Kovid-19 më të rëndësishme janë lufta kundër lajmeve të rrejshme dhe teorive konspirative, kuptimi serioz i pasojave nga sëmundja dhe mbrojtja dhe sjellja personale.

“Në Shtabin kryesor të krizës sot i shqyrtuam të gjitha numrat dhe shkaqet për numrin e rritur të të infektuarve të rinj. Pjesa më e madhe e të infektuarve të rinj janë në suaza të disa familjeve, përkatësisht klasterë të njohur, por numrat megjithatë janë shqetësues dhe trendi është shqetësues tek 20 për qind e numrit të përgjithshëm të të testuarve. Kështu që Komisioni po i bën analizat nëse ky është rezultat i mosrespektimit të masave personale të mbrojtjes apo ekzistojnë edhe shkaqe të tjera”, tha Osmani.

Zëvendëskryeministri përsëriti se pandemia ende është e pranishme, ndërsa virusi është i rrezikshëm, duke i hedhur poshtë të gjitha teoritë konspirative që po përhapen në këtë periudhë, të cilat, siç tha, po tentojnë ta ulin rëndësinë e pandemisë dhe pasojat që i shkakton virusi.

“Vetëm nëse të gjithë së bashku sillemi sikur të jemi pozitivë me Kovid-19 dhe nëse kontaktojmë me secilin njeri sikur të jetë pozitiv, kjo është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur. Asnjë masë kolektive, asnjë polic nuk mund të na kontrollojë se si sillemi në shtëpi apo në punë. Mënyra e vetme është të kuptojmë se kjo është sëmundje serioze e cila vret, se me sjelljen tonë i vrasim më të afërmit”, tha Osmani.

Ai përkujtoi se hulumtimet shkencore tregojnë se mbajtja e maskës, deri 80 për qind e ulë transmisionin e sëmundjes dhe se shumë pak nevojitet për t’u parandaluar kjo kurbë e infektimit.

Osmani i shprehi falënderim Ambasadës së Norvegjisë dhe shtetit norvegjez në emër të Qeverisë, për, siç tha, bëri përpjekje këtë periudhë edhe përkundër tregut të kufizuar dhe zinxhirit inspektues të transportit, të sigurojë 20 aparate për mbështetje oksigjeni që i distribuuam në spitalin e përgjithshëm “8 Shtatori”, një pjesë këtu, një pjesë në spitalet e tjera të vendit, ndërkaq me qëllim që të ndihmohen pacientët më të rënduar me Kovid-19.

Ai paralajmëroi se në ditët në vijim do të arrijnë donacione të reja nga Estonia dhe Bullgaria, me qëllim që të ndihmohet sistemi shëndetësor në kushte kur solidariteti paraqet faktori më i rëndësishëm në përballjen me pandeminë. ab