Osmani kërkon reagim nga BE-ja dhe NATO pas kërcënimit të Vuçiqit për luftë

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq ka paralajmëruar se do të ketë konfliktë si në Nagorno Karabakh, nëse dialogu me Kosovën dështon. Pas kësaj ka reaguar u.d e presidentes Vjosa Osmani duke kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe NATO t’i kundërpërgjigjen deklaratës së Vuçiqit.

“Pres nga Bashkimi Evropian dhe NATO t’i kundërpërgjigjen kërcënimit të Vuçiqit për luftë të përgjakshme”, ka shkruar në Twitter Osmani.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë para gazetarëve se në mëngjesin e të enjtes (12 nëntor) ka pasur takim me ambasadorët e vendeve të Kuintit, dhe ka thënë që konflikti në Nagorno-Karabak ka treguar shembull se si është një konflikt i ngrirë dhe që kur dikush e shkrin atë, mund të përshkallëzojë një katastrofë të vërtetë.

“Por, porosia më e rëndësishme është porosia e paqes, dialogut dhe dëshirës që të vazhdojmë bisedimet me Prishtinën dhe ta kuptojmë që zgjidhja më e mirë e mundshme është përmes dialogut. Është më mirë që ta arrijmë më herët sesa vonë. Në të kundërtën mund të na ndodhë ndonjë konflikt”, ka theksuar Vuçiq.