Presidentja Vjosa Osmani gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut mbajti fjalën në Kuvendin e vendit fqinj.
Nga foltorja e kuvendit në Shkup, Osmani ka kërkuar më shumë investime në komunat me shumicë shqiptare si dhe përdorim më te gjerë të gjuhës shqipe.
Osmani u shpreh se shqiptarët mbajnë disa pozita të rëndësishme udhëheqëse, por ka hapësirë që të bëhet më shumë.
Populli shqiptar ka qenë gjithnjë dhe mbetet përherë një urë e fortë lidhëse ndërmjet dy shteteve tona. Ata kishin rol kyç në shtetforimin dhe shtetndërtimin e Maqedonisë së Veriut ndërkaq sot janë kontribuues kyç për perspektivën evropiane të saj. Në themelet e shtetit modern maqedonas, shqiptarët krah për krah me etnitë e tjera janë duke ndërtuar të ardhmen e përbashkët mbi parimet e barazisë dhe gjithëpërfshirjes. Ata tashmë janë përfshirë edhe në pozita udhëheqëse duke pasur një përfaqësim më të madh në institucionet shtetërore por gjithnjë ka hapësirë që të bëhet edhe më shumë”, deklaroi Osmani.
Osmani shtoi se përkundër sfidave nga e kaluara, sot në Maqedoninë e Veriut funksionojnë disa universitete të cilat ofrojnë programe studimi në gjuhë shqipe, e sipas saj, ato garantojnë ruajtjen e identitetit përderisa hidhen themelet e diturisë që më pas mundëson integrimin e plotë të shqiptarëve në shoqërinë e Maqedonisë së Veriut.
Osmani tha se ruajtja dhe kultivimi i gjuhës shqipe është element shumë i rëndësishëm në zhvillimin e bashkëjetesës. Ajo kërkoi edhe më shumë investime ne njësitë e banimit me shqiptarë.
“Të prirë nga vizioni për mirëqenie të shtuar e me qëllim të kapërcimit të sfidave socio-ekonomike me të cilat po ballafaqohet i gjithë rajoni ynë, rritja e investimeve dhe në vendbanime ku jetojnë shqiptarët dhe fuqizimi edhe më i shumë i njësive të vetëqeverisjes lokale me kapacitete dhe financa shpresoj të shihet si prioritet. Në këtë mënyrë krijohen mundësi shtesë që qytetarët t’ju ofrohen shërbime sa më cilësore, si dhe të garantohet përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha institucionet e vendit”, tha Osmani.
Gjatë fjalës së saj, Osmani tha se raportet mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut janë të forta.