Osmani është i bindur se do të tejkalohen keqkuptimet me Bullgarinë, posaçërisht për kërkesat që kanë të bëjnë me identitetin maqedonas, përkatësisht me gjuhën dhe kombin. Optimizmin e tillë ai e sjell pas vizitës në Sofje ku u takua me kryeministrin Bojko Borisov dhe homologen Ekaterina Zaharieva. Bullgaria e kupton peshën e rolit të saj në proces dhe se mos mbajtja e Konferencës ndërqeveritare do të jetë mossukses i të gjithëve, tha Osmani.
-Unë vlerësoj se ka hapësirë dhe duhet deri në maksimum të përmbyllim atë hapësirë që të vijmë deri te mirëkuptimi i ndërsjellë, thash se çështjet që burojnë nga e drejta për vetëvendosje për atë se cilën gjuhë e flasin njerëzit, çfarë përkatësi etnike kanë, absolutisht askush nuk e konteston dhe mua më vjen mirë që ministrja për punë të jashtme në konferencë për media në Sofje tha se – po përpiqen që të krijojnë perceptim se ne i kontestojmë këto çështje,- vlerësoi,Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme.
Sot filloi me punë edhe Komisioni i përzier për çështje historike, për të cilën Osmani tha se është mirë që të vazhdojë me punë pas një kohe të gjatë dhe se në Sofje edhe më tej ka tension rreth çështjes me Goce Dellçevin. Për debatin publik që po zhvillohet në Bullgari që 24 maji të shpallet dita e alfabetizmit bullgar, Osmani tha nuk wshtw nw pwrputhje me marrëveshjen.
-D.m.th. kjo nuk është në përputhje me Marrëveshjen dhe nuk është në përputhje me punën e Komisionit për shkak se për Shën Kirilin dhe Metodin, komisionet kanë arritur konsensus dhe ka tekst të definuar si do të interpretohet roli dhe si do të festohen së bashku mes dy shteteve dhe çdo dalje nga ato korniza në të cilat kanë punuar komisionet d.m.th. minim i gjithë procesit të komisioneve,- deklaroi Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme.
Për Procesin e Berlinit me të cilin, siç dihet do të mbahet në Sofje, kryesojnë Maqedonia dhe Bullgaria, Osmani tha se paraqet ngjarje historike dhe se i hap perspektivat e Ballkanit Perëndimor. Nesër në Shkup fillon edhe takimi ministror për punë të brendshme me të cilin gjithashtu kryesojnë RMV dhe Bullgaria, ku pritet të iniciohet ideja për lëvizje me letërnjoftime në të gjithë gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, që do të mundësojë komunikim më të lehtë në rajon.