Osmani dhe Kurti urojnë kryeministrin e ri të Malit të Zi, Dritan Abazoviç

Krerë të institucioneve të Kosovës e kanë uruar zgjedhjen e kryeministrit të ri të Malit të Zi, kryetar i Lëvizjes Qytetare – URA, Dritan Abazoviç.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një shkrim në rrjetet sociale ka thënë se në këtë kohë kur kontinenti evropian po sfidohet nga autokratët dhe kur vazhdimisht po sulmohen vlerat demokratike, “është jashtëzakonisht premtuese të shohësh në krye të institucioneve të një vendi fqinj një mik me të cilin ndajmë rrugën e përbashkët drejt integrimit në BE”.

“Sot është po ashtu një arritje e rëndësishme për shqiptarët në Mal të Zi. Kosova dhe Mali i Zi gëzojnë raporte të shkëlqyera e jam e sigurt se bashkëpunimi bilateral do të intensifikohet gjithnjë e më shumë. Urime e punë të mbarë, Kryeministër Abazoviç!”, ka shkruar presidentja Osmani.
Edhe kryeministri kosovar, Albin Kurti, e ka uruar kryeministrin e ri Abazoviç.

“Përgëzoj përzemërsisht Dritan Abazoviçin, kryeministrin e parë të Malit të Zi nga komuniteti shqiptar i vendit. Mezi pres të punojmë së bashku ngushtë për të adresuar sfidat e shumta me të cilat përballemi në rajon”, shkroi Kurti në rrjetet sociale.

Në seancën e Kuvendit të Malit të Zi, më 28 prill në Cetinje, u votua qeveria e pakicës e kryeministrit Dritan Abazoviç, me çka përfundoi mandati teknik tremujor i qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq, të cilit iu votua mosbesimi më 4 shkurt.

Për zgjedhjen e qeverisë votuan 45 deputetë nga gjithsej 81 sa janë në parlamentin malazez, ndërsa 3 përfaqësues të Socialdemokratëve ishin kundër.
Kryeministri Abazoviç ka thënë se qëllimi i qeverisë së re është të zhbllokojë procesin e integrimit evropian të Malit të Zi dhe të bëjë zgjedhjen e pozitave udhëheqëse në gjyqësor./Anadolu Agency/