Do të paraqiste gabim të pafalshëm, edhe për ne, edhe për Bullgarinë, nëse lejojmë një luks të tillë të krijojmë vrragë të thellë në marrëdhëniet në të cilat investuam aq shumë dhe nëse sërish e bllokojmë perspektivën evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, thotë ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në intervistë për javoren kroate “Nacional” lidhur me kërc*ënimet bullgare për bllokim të rrugës sonë evropiane, nëse vendi insiston për gjuhën dhe identitetin maqedonas.
“Lejuam që marrëdhëniet tona bilaterale të rrezikohen nga disa recidivë historik, të cilët krijojnë animozitet mes fqinjëve, përndryshe, të afërt. Qeveria e re është e përkushtuar në këtë temë, ne jemi të fokusuar në plotësimin e asaj që e lëshuam dhe besoj se do t’ia arrijmë”, shton Osmani.
Ai thotë se pas nënshkrimit të Marrëveshjes për miqësi dhe fqinjësi të mirë me Bullgarinë, kishte pritur se janë vendosur themelet e miqësisë afatgjate dhe të detyrueshme mes dy vendeve, që do të jetë rezistuese ndaj ndikimeve të padëshiruara.
“Por, sfidat e sotme tregojnë se marrëdhëniet e mira fqinjësore asnjëherë nuk duhet të kuptohen si punë e kryer. Madje edhe kur duken më se pozitive, ato çdoherë janë të ndjeshme dhe prandaj duhet vazhdimisht të kultivohen. Republika e Bullgarisë ishte promovues i rreptë, lirisht mund të them luftëtar më i sinqertë për perspektivën evropiane dhe euroatlantike të Republikës së Maqedonisë së Veriut, që la përshtypje se marrëdhëniet tona fqinjësore hynë në fazën e dytë, fazë e miqësisë stabile dhe afatgjate”, thekson shefi i diplomacisë.
Osmani përkujton se vendi kaloi edhe rrugë të mundimshme, nga reformat deri te kompromiset e thella dhe të rënda të cilat janë shembull në rajon.
“Të jem i sinqertë, jo vetëm ne politikanët, por edhe qytetarët besojmë se e meritojmë atë, se jemi të gatshëm për hap të ri – të fillojmë negociata. Si vend, kemi model autentik të demokracisë funksionale multietnike që siguron stabilitet të brendshëm afatgjatë, por në të njejtën kohë është eksportuese e vlerave evropiane në rajon. Së bashku me integrimin e jashtëm, të shndërruar në Marrëveshje për partneritet strategjik me Greqinë dhe Marrëveshje për miqësi me Bullgarinë, vendi bëhet qendër rajonale për promovim të idesë evropiane të Ballkanit”, thekson Osmani.
Ai përkujtoi se vendi arriti përparim të konsiderueshëm në tre vitet e fundit lidhur me reformat për afrim drejt BE-së, posaçërisht në sferën e sundimit të së drejtës, me ç’rast janë vënë themelet e reformave në gjyqësi, janë përforcuar kapacitetet për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe është dhënë cilësi e re në respektimin e të drejtave themelore të njeriut, lirive dhe mediumeve dhe shprehjes së lirë të qëndrimit kritik të qytetarëve.
“Në përgjithësi, arritëm përparim të konsiderueshëm dhe realizuam rezultate pozitive në ndryshimin thelbësor të shoqërisë në pajtim me rregullat dhe vlerat evropiane. Të gjitha këto suksese janë udhëhequr nga ideja, do të thosha, ajo janë udhëhequr nga derivati i njejtë, e ajo është perspektiva evropiane e vendit. Në atë kuptim, mossuksesi i mundshëm i Unionit të ndërtojë konsensus për kornizën negociuese, e me atë edhe të mundësojë mbajtje të konferencës së parë ndërqeveritare, si fillim formal të negociatave, në njëfarë mënyre do të paraqiste disfatë gjithpërfshirëse të përbashkët të politikës që dukshëm dha rezultate serioze. Këtu, kuptohet, para së gjithash mendoj për të gjithë ne të cilët e pritëm këtë moment shumë vite dhe me të vërtetë investuam mjaft energji politike dhe sociale për sukses të këtij procesi, por disfata përfundimtare do të thotë humbje për tërë rajonin, humbje për kryesimin gjerman që po e zhvillon këtë proces dhe humbje për fqinjët tanë të cilët gjithashtu investuan shumë në perspektivën evropiane të rajonit”, thekson Osmani.
Shefi i diplomacisë foli edhe për kryesimin e përbashkët të vendit dhe Bullgarisë me Procesin e Berlinit, duke cekur se në ato korniza për herë të parë në rend dite të kësaj nisme është vendosur bashkëpunimi në sferën e shëndetësisë.
“Konsideruam se duhet të japim përgjigje rajonale ‘shëndetësore’ ndaj KOVID-19. Ato diskutime do të dominojnë në takimin e ardhshëm ministror për shëndetësinë, që do të mbahet më 22 tetor në Shkup. Në të vërtetë, nga pikëpamja e pastër shëndetësore-epidemiologjike, të shpresojmë se do të kemi vaksinë efikase dhe të sigurt për KOVID-19 sa më parë të jetë e mundshme, sepse si mjek besoj se vetëm vaksinimi masiv i popullatës mund ta ndërpresë zinxhirin e përhapjes dhe me atë në mënyrë efikase të përballemi me këtë sfidë të kohës sonë”, shton Osmani.
Ai në intervistë e thekson edhe rëndësinë e bashkëpunimit të BE-së dhe vendeve nga Ballkani Perëndimor në përballjen me koronavirusin.
“Ne jemi veçanërisht mirënjohës për fillimisht 3,3 miliardë ejurot që i siguroi BE-ja për të na ndihmuar që të përballemi më lehtë me krizën nga koronavirusi, me çka në njëfarë mënyre kjo pan demi i çimentoi lidhjet e BE-së me Ballkanin Perëndimor. Së bashku hymë në këtë krizë dhe duhet së bashku të dalim nga ajo. Pandemia tregoi se sa është i rëndësishëm bashkëpunimi mes vendeve të rajonit, por njëkohësisht e tregoi edhe pjekurinë politike të vendeve nga Ballkani Perëndimor, të cilat manifestuan mënyrë evropiane të bashkëpunimit, këmbim të informatave, formim të korridoreve të gjelbra etj. Duke luftuar kundër koronavirusit, mësojmë një leksion të ri – se në vend të izolimit, domosdoshmërisht na nevojitet integrimi, me qëllim që bashkarisht t’i tejkalojmë sfidat e kohës së re”, theksoi ministri Osmani në intervistën për “Nacional”.