Që Alternativa të hyjë në Qeveri, LSDM dha dorëheqje nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa BDI nga MSHSHB. Mirëpo, pozita ministrore në bujqësi mbetet e hapur, e cila sipas njoftimeve jozyrtare mund t’i takojë BDI-së, kështu që i vetmi koncesion do të ishte heqja dorë nga shëndetësia e LSDM-së.Partneri i dytë i koalicionit në Qeveri – BDI ka dhënë pëlqimin që Alternativa të marrë tri poste ministrore në kabinetin e ri qeveritar.
Sipas ministrit të Jashtëm Bujar Osmani, BDI është informuar plotësisht për bisedimet e kryeministrit dhe liderit në dorëheqje të LSDM-së, Zoran Zaev, me Afrim Gashin për hyrjen e Alternativës në Qeveri.
“Kryeministri Zaev i ka zhvilluar bisedimet me partinë politike Alternativa në emër të koalicionit. “Ne ishim plotësisht të informuar dhe të koordinuar për bisedimet që kryeministri Zaev ka pasur me partitë politike. Tha Osmani pas një konference për media me zëvendësndihmës sekretarin amerikan të shtetit për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit nëse BDI ishte në dijeni për numrin e madh të pozitave që merr Alternativa.
Ndryshe, ministër i parë i Shëndetësisë në qeverinë e Zaevit ishte Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët, i cili la postin për të kandiduar për kryetar të komunës së Gostivarit në zgjedhjet e vjeshtës 2017. Pastaj Aleanca u largua nga Qeveria e Zaevit, kur ai vendosi që LSDM të marrë Ministrinë e Shëndetësisë. Alternativa, nga ana tjetër, u bë pjesë e Qeverisë së Zaevit në mesin e vitit 2018, kur nga LSDM “trashëgoi” postin ministror në kulturë. Alternativa doli në opozitë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të vitit të kaluar, në të cilat ai kandidoi në një koalicion me Aleancën.