Osmani: BDI-ja ende nuk ka formuar qëndrim për komunitetin LGBT


Bashkimi Demokratik për Integrim tanimë ka kaluar në Agjendë të Gjelbër, e cila nuk nënkupton vetëm angazhim për zgjidhjen e problemeve mjedisore, por edhe përkrahje të parimeve dhe vlerave për gjithëpërfshirje të komunitetit LGBT në shoqëri.
Por çfarë qëndrimi ka BDI-ja për këtë komunitet? Për këtë u pyet ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në intervistën për Radio Evropën e Lirë në gjuhën maqedonase.

Si parti, Osmani tha se BDI-ja ende nuk ka arritur të shqyrtojë të gjtiha parimet që dalin nga Agjenda e Gjelbër, dhe konkretisht për LGBT-të tha se se ende nuk ka një qëndrim të formuar. Por, shtoi se respektohen dallimet dhe gjithëpërfshirja.

“E para të them se Agjenda e Gjelbër është mënyrë e jetesës, nuk është vetëm mjedis jetësor. BDI-ja në pjesën e parë të funksionimit të saj gjatë këtyre 20 vjetësh, kishte për qëllim integrimin. Të integrojë një shoqëri që ishte lënë jashtë sistemit, jashtë margjinave të sistemit. Shpesh herë duke u përqendruar në sasi, se sa në cilësi. Pse e them këtë? Sepse nuk kishte universitete dhe duhej të themeloheshin universitete. Nuk kishte punësime në administratë. Ishte 0.2 në vitin 2002 dhe duhej të punësoheshin njerëzit. Konsiderojmë tani, se si përmbushen ato parametra, gjegjësisht integrohen shoqëritë në kornizën e re të krijuar nga Marrëveshja e Ohrit, tani është koha të fokusohemi në cilësi. Cilësi në arsim, cilësi në jetë, cilësi në ushqim, në ajër,… dhe kjo është agjenda e gjelbër e BDI-së dhe kuptohet se me këtë ne hyjmë në një periudhë të re, në mënyrë të re të funksionimit. Pyetja konkrete, ende nuk ka arritur të definohet në qëndrime për çdonjërën prej tyre në mënyrë veçmas, por si parime, si përfitime civilizuese të vlerave dhe ajo është respektim i dallimeve, gjithëpërfshirjen për BDI-në nuk ka asgjë kontestuese”, tha Osmani