Osmani: “Angazhohemi për vlera demokratike dhe liberale”

Angazhohemi për vlera demokratike dhe liberale ka thënë ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani gjatë takimit të sotëm të shkurtër që në Manastir kishte me kryeministrin bullgar Kiril Petkov dhe kolegen e tij, ministren e Jashtme të Bullgarisë, Teodora Gençovska.
Osmani dhe Petkovi kanë konfirmuar përpjekjet e përbashkëta që vendin e çojnë drejt BE-së.

“Unë jam në komunikim me ministren, ndërsa sot kishim mundësinë të bisedojmë edhe me kryeministrin. Atë që flas për dokument, është në fakt për atë portugez që ende është bazë e arritjes së marrëveshjes që prezantohet në forma të ndryshme, non- pejperi, tekste, këmbim idesh gjatë kësaj periudhe, por konsideroj se ai propozim mbetet në thelbin e gjetjes së zgjidhjes që është e pranueshme për dy palët”, tha ai.

Sipas Osmanit, komenti dje i MPJ-së bullgare ka pasur të bëjë me përgjigjet e të ashtuquajturës pako 5+1 që u dorëzuan në Riga vitin e kaluar, apo siç thotë, “të prezantuara dhe më pas në shkurt kishte komente të tyre lidhur me atë tekst”.

“Por ato çështje janë gjithnjë e më pak të rëndësishme. Me rëndësi është të vazhdojë komunikimi. Siç potencova edhe në Bullgari kjo mjaft po shkakton qëndrime të ndryshme edhe në kuadër të koalicionit. Pozicionet tona janë të qarta. Ne lëvizim në kuadër të pozicioneve që kemi në Parlament. Konsiderojmë se propozimi i Bashkësisë ndërkombëtare është propozimi i vetëm zyrtar i BE-së i prezantuar përmes atëherë presidencës portugeze që është ndërmarrë, pastaj nga presidenca sllovene edhe më tej mbetet ai dokument- propozimi portugez që ne e kemi pranuar dhe konsideroj se duhet të jetë bazë për zgjidhje”, tha Osmani.
Ai vlerësoi se këto takime të shpeshta mund ta përmirësojnë atë dinamikë edhe krahas gjitha dallimeve.

“Kuptohet se kemi dallime. Kanë dallime partitë brenda në Bullgari, kanë edhe tonat. Nuk është e lehtë. Është çështje komplekse, por ne jemi të obliguar si politikanë të reflektojmë tek qytetarët perspektivë evropiane duke mbrojtur interesa tona. Treguam se mund të mbrojmë interesat tona, ose do të kishim zgjidhje shumë më herët”, tha ministri Osmani.

Kryeministri bullgar Petkov në takimin e shkurtër me Osmanin ka konfirmuar qëllimet e takimeve të shpeshta me kreun politik të Maqedonisë së Veriut.

“Shpesh takohemi. Kemi detyra të qarta dhe duhet të krijojmë kushte që ato të avancohen. Të gjithë besojmë dhe fuqishëm jemi të bindur se e ardhmja evropiane e Maqedonisë së Veriut është me rëndësi për stabilitetin e Ballkanit. Unë besoj në këtë dhe Qeveria jonë beson në këtë dhe do të vazhdojmë të veprojmë sipas detyrave që kemi krijuar”, ka thënë Petkovi.

Pjesëmarrja e kryeministrit Petkov me delegacionin qeveritar dhe parlamentar nga Bullgaria në Manastir ndërlidhet me hapjen e klubit të Qendrës kulturore “Ivan Mihajlov” gjë siç informoi ministri Osmani ka qenë ngjarje në organizim të Klubit dhe ambasadës bullgare.