Osmani: Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dobëson ndikimin sllavo-rus në rajon


Zëvendës kryeministri shqiptar i Maqedonisë, Bujar Osmani në një intervistë për “Indeksonline” ka folur rreth zhvillimeve të fundit në Maqedoni por për tema të rëndësishme në Republikën e Kosovës.

Fillimisht, Osmani ka thënë se viti 2019 për Maqedoninë ka filluar mbarë, duke pasur parasysh ndryshimet kushtetutës dhe pastaj përmbyllje e aspektit legjislativ të marrëveshjes së Ohrit, me anën e të cilave u shndërrua gjuha shqipe në gjuhë zyrtare në shtetin maqedonas.

|Në fakt 2019 ka filluar me vetëm lajme të mira, 11 janari do të mbahet mend me ndryshime kushtetuese dhe ndryshime të emrit dhe menjëherë tre ditë pas edhe me përmbylljen e aspektit legjislativ edhe aspekti legjislativ të marrëveshjes së Ohrit si një parakusht i rëndësishëm për barazinë gjuhësore dhe etnike.

Mendojë që 14 janari i 2019 do të jetë një prej datave historike për shqiptarët në Maqedoni dhe rajon, do të jetë dita kur do të festohet dita e gjuhës shqipe do të shkruhet me shkronja dhe numra të artë në historinë tonë, për shkak se është momenti kur po arrihet jo vetëm barazi gjuhësore po edhe një moment i rëndësishëm në arritjen e barazisë në Maqedoni” është shprehur Osmani.

Tash shtetasve maqedonas do të ju ofrohet mundësia që të marrin shërbime në gjuhën shqipe jo vetëm në nivel lokal, por edhe në nivelin qendror. E sipas Osmanit, ky është njëra nga përfitimet kryesore të shqiptarëve të Maqedonisë.

“Baza kushtetuese është bërë në vitin 2001, por në 17 vitet e fundit keni pas dallim në interpretimin e atij neni të kushtetues e cila parasheh që gjuha shqipe duhet të jetë gjuhë zyrtare, e kjo ka të bëjë me dallimin mes partive politike shqiptare dhe atyre maqedon.

Partitë maqedonase mendojnë që ato nene kanë të bëjnë vetëm me komunat ku shqiptarët janë 20% por kjo nuk është fryma e marrëveshjes së Ohrit nuk është fryma e Kushtetutës, por kjo ka të bëjë me shtetin ku jetojnë shqiptarët më tepër se 20%. E kjo më fund pas 17 vitesh përpjekje pas 17 viteve të avancime të përsëritshme të gjuhës u arrit ky kompromis që po materializohet në këtë ligj.

Deri më tani gjuha shqipe me nivel horizontal ishte zyrtare por jo edhe në vertikale, jo në institucionet qendrore, jo në qeveri, jo në presidencë. Pra, Maqedonia flet tash në dy gjuhë.”

Osmani ka thënë se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO, nuk do të ishte vetëm arritje për shqiptarët e Maqedonisë por edhe ata të Kosovës e Shqipërisë. Sipas tij, kjo do të dobësonte ndikimin sllavo-rus në rajon.

“Kjo do të thotë shumë, jo vetëm për shqiptarët e Maqedonisë, për shqiptarët e Kosovës, Shqipërisë dhe tërë rajonit. Është interes strategjike etnik që Maqedonia të jetë në NATO, Maqedonia ose do të jetë në NATO ose do të jetë në ndikimin sllavo-rus, këto janë dy alternativa dhe çdo shqiptar e ka interes që zona gjeografike të jetë e përkufizuar në familje euroatlantike të NATO-s, andaj përfitimi më i madh është që zona gjeografike të jetë pjesë e perëndimit dhe jo pjesë e ndikimit lindor. Unë mendoj se njerëzit bien në grackën e keqkuptimit se NATO-ja është interes i Maqedonisë dhe shqiptarët nuk e kanë atë interes, është e kundërta se është interesi më i madh shqiptar që ta largojmë nga mundësia e ndikimit rus” është shprehur zëvendës kryeministri shqiptar në Maqedoni.

Osmani në intervistën e tij për “Indeksonline” ka dhënë lajmin e mirë që shumë shpejt pritet që të ndërtohet edhe autostrada Shkup-Bllacë. Ai ka thënë se tenderi do të hapet gjatë muajit shkurt, për dy kilometrat e parë.

“Kosova ka nisur vetëm para disa vjetëve në këtë drejtim, Maqedonia tentimet për nisjen e nderimit të Autostradës Shkup – Bllacë e ka që nga viti 2002, mirëpo për shkak të zhvillime të ndryshme ajo gjithmonë ka mbetur në tentativë. Ajo çfarë kemi bërë ne është që të krijojmë të gjitha parakushtet për ndërtim sa më të shpejt, unë besoj se në muajin shkurt do të shpallet tenderi për ndërtimin e dy kilometrave të para dhe paralelisht do të sigurohen edhe mjetet shtesë. Autostrada Shkup – Bllacë është njëri nga tre lajmet më të mira të këtij viti, unë mendoj se ky vit do të jetë i mbar për shqiptarët.”

Kurse, sa i përket Kosovës dhe idesë e cila është diskutuar kohën e fundit në vend, Osmani ka thënë se nuk do të pozicionohet por në bisedime duhet të lihen të gjitha opsionet e hapura në mënyrë që mbyllen kontestet.

“Ballkani perëndimor duhet përfundimisht të integrohet në BE, BE-ja nuk importon probleme ndërshtetërore në BE, ashtu si Maqedonia nuk mundej.

As Kosova as Serbia nuk munden të pretendojnë të hynë në BE pa i zgjidhur këto çështje, ajo çfarë unë kam mësuar nga eksperienca me Greqinë, është se kur futeni në eksperienca të tilla nuk duhet të ketë vija të kuqe dhe paragjykoni epilogun e bisedimeve. Por unë nuk them se jam protagonist i shkëmbim të territoreve por jam pjesë e idesë së nuk duhet të keni paragjykime për epilogun përfundimtar të bisedimeve por të hyni me horizont të hapur dhe me idenë që të mbyllni kontestin.

Prandaj pa dashur të them se jam për dhe kundër shkëmbimit, sugjerimi im është që palët të futen në bisedime pa paragjykime duke i lënë të gjitha opsionet e hapura”
Ndërkaq zëvendës Kryeministri Osmani, taksën prej 100% të vendosur nga qeveria e Kosovës kundrejt produkteve serbe, e ka konsideruar si përpjekjeve të Kosovës për të vendosur simetri në raportet me Serbinë.

“Unë do kisha dashur që në rajon të ketë sa më pak taksa e kufi, kjo është ideja e BE-Së dhe e zonës ekonomike, mirëpo është e qartë se ka pasur asimetri në këmbimin tregtar mes Kosovës dhe Serbisë, dhe ky veprim i Kosovës ka qenë tentim të ketë simetri në këto raporte.

Unë shpresojë të gjendet një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë në nivelin politik dhe më pas nuk do të ketë as taksa as nevojë për doganim për mallra” ka përfunduar Osmani