Organizohet Akademi Përkujtimore për Abdurrahman Alitin

Me rastin e 5 vjetorit të ndarjes nga jeta dhe përcaktimit nga Kuvendi i Maqedonisë si një nga datat që duhet të shënohen këtë vit, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, nën përkujdesjen dhe iniciativën e Ali Ahmeti, ka nderin t’ju ftoj në Akademinë Përkujtimore për Abdurrahman Aliti, ish nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, deputet, ambasador dhe lider i Partisë për Prosperitet Demokratik.

Akademia Përkujtimore do të mbahet në amfiteatrin e Qendrës Informative Kulturore (QIK) në Shkup, më 5 korrik 2018, ditë e enjte, me fillim në ora 15:00.

Ndryshe, Aliti, ndërroi jetë pas një sëmundje që e kishte kapluar më 27 qershor të vitit 2013.

Aliti njihet me ardhjen e tij në krye të PPD-së pas turbulencave brenda kësaj partie në vitin 1994, kur pasoi edhe ndarja në fraksione me PDSH. Për shumë vite ishte në krye të saj, duke qenë edhe deputet në Parlamentin e Maqedonisë. Karrierën e tij politike ai e përfundoi si ambasador i Maqedonisë në Sofje të Bullgarisë.

Aliti ka lindur në vitin 1945 në fshatin Zhelinë të Tetovës, trupi i tij prehet në varrezat e fshatit.