Punonjësit shqiptarë, si meshkuj, ashtu dhe femra, kanë oraret më të gjata të punës në Europë, që arrijnë deri në 50 orë në javë.
Gjetjet për orët e punës janë publikuar në një raport të fundit të Komisionit Europian për kushtet e punës dhe implikimet në të ardhmen. Sondazhi realizohet një herë në pesë vjet nëpërmjet anketimeve me 70,000 punëtorë në 36 vende europiane.
Këtu përfshihen shtetet anëtare të BE-së, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Zvicra, Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Meshkujt shqiptarë punojnë rreth 50 orë në javë, ndërsa femrat rreth 45 orë në javë. Pas shqiptarëve renditen grekët, serbët, malazezët, rumunët dhe shtetasit e Kosovës.
Orët e larta të punës në Shqipëri duken të lidhura me dy faktorë, së pari puna edhe gjatë fundjavave dhe së dyti niveli i lartë i të vetëpunësuarve, që Shqipëria e ka rekord në rajon me rreth 36% të totalit të të punësuarve (shënim i Monitor).
Sipas raportit, mesatarisht, në BE-27 burrat raportuan se punonin pak më shumë se 42 orë në javë, ndërsa gratë punonin afërsisht 37 orë.
Java klasike 40-orëshe mbeti standard në vitin 2021 në shumicën dërrmuese të vendeve, përveç Francës (35 orë), Danimarkës (37 orë), Norvegjisë (38 orë) dhe Zvicrës (42 orë). Rreth 20% e të gjithë punëtorëve (31% e grave dhe 12% e burrave) punonin 34 orë ose më pak në javë.
Në vitin 2021, rreth gjysma e burrave dhe grave punonin midis 35 dhe 40 orë në javë. Mesatarisht, të vetëpunësuarit shpenzuan 6.4 orë më shumë në punë me pagesë (4.3 orë më shumë për gratë dhe 6.9 orë më shumë për burrat) sesa punonjësit.
Raporti thekson se orët e gjata të punës shoqërohen me kushte shëndetësore si depresioni, ankthi, çrregullimet e gjumit dhe sëmundjet koronare të zemrës dhe mund të ndikojnë ekuilibrin midis punës dhe aspekteve të tjera të jetës.
Në vitin 2021, 19% e punëtorëve në BE27 (13% e femrave dhe 24% e meshkujve) raportuan se punonin 48 orë ose më shumë në javë. Përqindjet mes të vetëpunësuarve ishin më të mëdha: 52% e meshkujve dhe 35% e femrave.
Orari i zgjatur i punës është raportuar nga më shumë se gjysma (58%) e të vetëpunësuarve me të punësuar, 40% e të vetëpunësuarve të vetëm dhe rreth 14% e të punësuarve.
Orët e gjata janë raportuar më shpesh nga punëtorët në bujqësi, menaxherët dhe operatorët e impianteve dhe makinerive, si dhe në sektorët e bujqësisë, transportit dhe ndërtimit. Orët e gjata ishin gjithashtu më të zakonshme në mikro-vendet e punës sesa në vendet më të mëdha të punës.
Përqindja e punëtorëve që raportuan se punonin 48 orë ose më shumë në javë ndryshonte shumë sipas vendit: 34% e punëtorëve në Greqi, 26% në Rumani, 24% në Poloni dhe 23% në Çeki, por vetëm 10% e punëtorëve në Holandë dhe 9% në Danimarkë.
Në vitin 2021, një javë pune pesë-ditore ishte normë për burrat dhe gratë në të gjitha Shtetet Anëtare të BE-së.
Gratë në Holandë janë një përjashtim, pasi shumica e tyre zakonisht punojnë katër ditë në javë.
Shumica dërrmuese e punëtorëve (70%) raportuan se kishin një javë pune pesë-ditore, ndërsa pjesa tjetër ndahej pothuajse në mënyrë të barabartë midis punës katër ditë ose më pak (16%) dhe punës gjashtë ose shtatë ditë (15%) në javë.
Një javë pune katër-ditore, e cila është diskutuar kryesisht si një mekanizëm për të përmirësuar mirëqenien e punëtorëve dhe ekuilibrin punë-jetë dhe për të krijuar potencialisht më shumë vende pune dhe për të reduktuar papunësinë, u raportua nga afërsisht 8 % e punëtorëve në BE27 (6% e burrave dhe 10% e grave)./ Monitor