Opozita shqiptare insiston në heqjen e përkufizimit 20%

Lëvizja BESA thotë se gjatë hapjes së Kushtetutës për të futur bullgarët, duhet të hiqet nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut formulimi 20% dhe në vend të saj të qëndrojë gjuha shqipe. Edhe ASH-ja njoftoi se do të vazhdojë të angazhohet që të zgjidhet dhe mënjanohet ky narativ për Shqiptarët, raporton Klan M.

Opozita shqiptare insiston që me hapjen e Kushtetutës për përfshirjen e bullgarëve, të hiqet edhe përkufizimi “20%”. Madje, ata thonë se me këtë, do të kushtëzojnë mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese, të cilët janë të domosdoshme për vazhdimin e negociatave me BE-në. Nga Aleanca për Shqiptarët e vlerësojnë këtë përkufizim si fyes për shqiptarët, ndërsa paralajmërojnë edhe një pako të kushteve për mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese. Nga kjo parti, po ashtu kanë shprehur gatishmëri për t’u takuar me të gjitha partitë për t’i diskutuar këto çështje.

“Aleanca për Shqiptarët është angazhuar dhe do të angazhohet edhe në të ardhmen për të zgjidhur dhe hequr këtë narrativ fyes për shqiptarët. Ne, kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi bashkëpunues me të gjitha partitë politike me të vetmin qëllim, zgjidhjen e këtij problemi. U.D. Kryetar i ASH-së, Arben Taravari ju ka bërë thirrje të gjitha partive që të ulemi dhe ne jemi të gatshëm të ulemi një ditë e më parë, kur të jenë gati të gjithë” – thonë nga ASH-ja.

Ndërkohë, i pyetur se kur do të thirrin vazhdimin e tryezës së përbashkët të partive shqiptare, Blerim Sejdiu nga kjo Lëvizja Besa tha se, detajet në lidhje me këtë temë do të shpalosen ditëve në vijim.

“Është një temë për të cilën edhe në kryesinë e fundit është diskutuar dhe për të cilën ne normalisht do të kemi qëndrim zyrtar ditëve në vazhdim. Është një temë për të cilën ne i kemi mendimet tona si subjekt politik, por ditëve në vazhdim mendojmë se, do të kemi qëndrimin tonë zyrtar si Lëvizje Besa në lidhje me këtë temë”– tha Blerim Sejdiu nga Lëvizja BESA.

Kujtojmë se, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ditë më parë, deklaroi se përkufizimi 20% nuk i cenon të drejtat e shqiptarëve dhe se e njëjta do të largohet në momentin e duhur. Nga Lëvizja Besa e kanë quajtur këtë deklaratë skandaloze dhe thanë se kanë autorizuar liderin e saj që t’i thirre në tryezë të përbashkët partitë parlamentare shqiptare. /KlanMacedonia/