Opozita shqiptare dhe Qeveria arritën marrëveshje për ligjin për shtetësi

Arrihet marrëveshje mbi ligjin për shtetësi mes opozitës shqiptare ASH-AAA dhe Qeverisë. Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se të gjitha dispozitat e propozuara në tekstin e dorëzuar në MPB janë pranuar, përveç njohjes së gjuhës shqipe. Kategoria e qytetarëve që janë gjetur në vend pas pavarësimit do të mund të marrin shtetësinë vetëm përmes një dokumenti: certifikatë, dëftesë, faturë ose dokument për marrëdhënie pune.

Për kategorinë e personave që kanë qenë prezent në shtet nga pavarësimi e këtej, kjo kategori duhet të ofron vetëm një dokument nga e gjithë gama e dokumenteve të përfshira në dispozitat kalimtare. Pra nuk duhet asgjë tjetër. Duke dëshmuar se janë pjesë e Maqedonisë së Veriut e marrin shtetësinë – tha Elmi Aziri, deputet i ASH-së.
Marrëveshjen e konfirmoi edhe kryeministri Zoran Zaev i cili pret që pas miratimit të ligjit opozita shqiptare t’i zhbllokojë ligjet në Kuvend.

Zgjidhja ligjore është përmirësuar ashtu siç jemi marr vesh. Nëse i njëjti miratohet ashtu siç duhet dhe do të duhet sepse kemi marrëveshje, logjikisht që opozita do ta zhbllokon Kuvendin dhe do t’i tërheq amendamentet – u shpreh Zoran Zaev, Kryeministër.
Teksti do të dorëzohet në Kuvend javën e ardhshme, ndërsa procedimi i tij varet nga kreu i Kuvendit. Opozita shqiptare beson se teksti i ligjit shpejtë do të gjendet para deputetëve dhe do të ketë mbështetjen e të gjithëve.