Në koordinimin e sotëm te kryeparlamentari Xhaferi koordinatorët e grupeve parlamentare te shumicës kanë propozuar që deputetët që kanë vendim për izolim të mund të votojnë online.
Sipas shumicës, Kushtetuta e lejon këtë por do të nevojiten ndryshime në Rregullore ku do të potencohet se prezenca e deputetëve nuk nënkupton patjetër prezencë fizike. Pikërisht ky është argumenti i VMRO-DPMNE-së që të mos e pranojnë duke thënë që Kushtetuta nuk e lejon këtë.
Koalicioni ASH-AAA thotë se për to nuk është e pranueshme në asnjë rast mbajtja e seancave online për shkak të mospasjes se kushteve teknike fillimisht por edhe për arsye se nuk u besojnë institucioneve për manipulime eventuale.
Por në interes të qytetarëve opozita shqiptare nuk do të pengojë ligjet e rëndësishme prandaj kërkon që në secilin ligj edhe amendamentet e opozitës të pranohen dhe ligjet të kalojnë.