Opozita kërkon zgjedhje të parakohshme

Rezultati i zgjedhjeve në Tetovë, sipas VMRO-DPMNE-së, tregon që kjo parti gëzon mbështetje dy herë më të lartë se LSDM-ja në pushtet. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, partia e Mickoskit i konsideron të pashmangshme.

“Kovaçevski e din se asgjë nuk është në rregull sepse populli nuk e do, sepse e dëmtuan, e shkatërruan dhe e nënçmuan shtetin. Kovaçevski të mbledhë forcat dhe të nënshkruaj zgjedhje të parakohshme parlamentare menjëherë. Vetëm një Kuvend dhe një Qeveri e cila pasqyron vullnetin real të qytetarëve mund të sjellin vendime që do ta nxjerrin vendin nga krizat ku jemi fundosur”, deklaroi Dafina Stojanovska, VMRO-DPMNE. LSDM-ja thotë se VMRO-DPMNE-ja manipulon me numrat dhe anketat dhe se zgjedhjet nxorën fituese LSDM-në.

“Ata që më zëshëm folën dhe kërkuan zgjedhje të parakohshme parlamentare në këto zgjedhje të parakohshme lokale përjetuan disfatë absolute. Humbën në të dy komunat. Kjo është dëshmi se anketat të cilat i porosisin janë jorelevante dhe joreale. E njëjta gjë do të ndodhë në zgjedhjet e rregullta parlamentare të cilat do të bëhen në vitin 2024. Në ato zgjedhje Mickoski do të humbë përsëri”, tha Darko Kaevski, LSDM. Zgjedhje të parakohshme parlamentare sa më shpejt që është e mundur kërkoi edhe Lëvizja Besa, pas fitores në zgjedhjet për këshill në Komunën e Tetovës. /Alsat.mk