Opozita e bashkuar maqedono-shqiptare! Mickoski, Sela dhe Gashi të hapur për bashkëpunim

Blloku opozitar, VMRO-DPMNE-ja, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa të gatshëm për të bashkëpunuar. Hapi i parë që po i çon drejt koalicionit për zgjedhjet lokale është konferenca e sotme e partive të djathta e mbajtur në Shkup.
“Unë do të doja që ky bashkëpunim ynë të vazhdojë edhe më tej e pse jo të kulmojë me një koalicion të përbashkët para zgjedhjeve lokale”,deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMROD-DPMNE-së.

Kreu i ASH-së Ziadin Sela tha se koalicionet ndërtohen në bazë të mirëbesimit, seriozitetit të liderëve dhe mbajtja e fjalës, ndërsa shtoi se është pikërisht Zoran Zaev njeriu që i mungojnë këto cilësi.
“Ne jemi të interesuar për të bashkëpunuar por kuptohet se për këto gjëra do të informoheni në të ardhmen sa më tepër që afrohen zgjedhjet lokale”, tha Ziadin Sela, kryetar i ASH-së.

Kreu i Alternativës, Afrim Gashi, pohon se nëse tani shtrihet dora e bashkëpunimit për interesin e përgjithshëm, kjo mund të vazhdojë edhe më tej.
“Kur të vijë faza e organizimit të zgjedhjeve lokale ne do të ulemi, fillimisht me z.Sela, pastaj edhe me partitë e tjera, të shohim cila është më e mira për ne si shqiptarë, për vendin tonë dhe do të marrim vendime”, theksoi, Afrim Gashi, kryetar i Alternativës.

I pyetur se sa e pranueshme është që të bashkëpunojë me VMRO-DPMNE-në pas asaj që pësoi në ngjarjet e 27 prillit, Sela tha se nuk e ka ndërmend që në emër të 27 prillit të amnistojë politikat e gabuara të Zaevit.
“Nga ana tjetër subjekteve politike nuk ka pse të jenë përgjegjëse por janë individë të caktuar të cilët i kanë bërë këto veprime dhe unë ia kam lënë këtë punë që të merret shteti i së drejtës që fatkeqësisht ky shtet i së drejtës i kryesuar nga Zoran Zaevi e ka lënë në liri Sasho Mijallkovin dhe nga ana tjetër e ka futur në burg Feta Alimin”, pohoi Ziadin Sela, kryetar i ASH-së
Kreu opozitar Mickoski pohoi se i vjen keq për ato që i kanë ndodhur Selës më 27 prill dhe uroi që të mos përsëritet më kurrë.