Opozita dorëzon para deputetëve propozim-ligjin për pagën minimale prej 27.700 denarëve

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut sot do të mbajë seancën e tij të 19-të. Para deputetëve si pikë e rendit të ditës në këtë seancë është edhe Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për pagën minimale në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i dorëzuar me procedurë të përshpejtuar nga deputetët e LSDM-së.

Me këtë zgjidhje ligjore pritet që lartësia e pagës minimale në Republikën e Maqedonisë së Veriut të jetë 27,700 denarë në shumë neto. Siç theksohet në zgjidhjen ligjore të publikuar në faqen e Kuvendit, zbatimi i tij pritet të fillojë me pagesën e pagës për muajin nëntor 2024, e cila do të paguhet në muajin dhjetor 2024. Zbatimi i këtij ligji do të shkaktojë implikime financiare në buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në shumën prej 93,000,000 denarë.

Në rendin e ditës të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut është Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSh), i paraqitur nga deputetët e LSDM-së për procedurë të shkurtuar. Ky propozim-ligj ka si qëllim të rritë nivelin e jetesës së qytetarëve dhe t’u mundësojë një shportë më të madhe konsumi grupeve më të rrezikuara të qytetarëve. Sipas ndryshimeve ligjore, pritet që produktet bazë për ushqimin e njeriut të lirohen nga aplikimi i normës preferenciale të TVSh-së prej 5 përqind.

Me nenin 2, futet një nen i ri 30-g, i cili parashikon që produktet bazë për ushqimin e njeriut do të lirohen nga pagesa e TVSh-së për transaksionet dhe importet e këtyre produkteve, ndërsa Qeveria do të përcaktojë mallrat dhe shërbimet përkatëse që do të bien nën këtë kategori.

Po ashtu, para deputetëve ndodhen edhe disa ligje në lexim të parë dhe të dytë, si dhe Raporti Vjetor i punës së Këshillit Shtetëror për Parandalimin e Kriminalitetit të Fëmijëve dhe për gjendjen në fushën e të drejtave të fëmijëve dhe kriminalitetit të fëmijëve për vitin 2023, si dhe Plani Financiar i Ndërmarrjes Publike të Radiodifuzionit të Maqedonisë, Radiotelevizioni maqedonas për vitin 2025.