Operacioni në Krushopek, MPB sot zbulon detajet

Informacione të ndryshme jozyrtare kanë qarkulluar gjatë orëve të fundit lidhur me aksionin e djeshëm në Krushopek të Shkupit, ku u ndaluar sasi e konsiderueshme e kokainës. Jozyrtarisht mësohet për 1,3 ton drogë të llojit kokainë që kishte ardhur nga Kolumbia në një dërgesë me banane. Ministri i brendshëm teknik, Naqe Çulev ka dhënë lajmin mirëpo nuk ka dhënë detaje për sasinë e drogës. Ndërkohë, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski përmes një postimi në rrjetet sociale tha se janë kapur 1.3 ton, duke shtuar se me ardhjen e ministrit teknik në krye të MPB-së është zbuluar kjo sasi e konsiderueshme e drogës.

Nga informacionet e para jozyrtare nga MPB bëhet e ditur se janë ndaluar tre persona, dy shoferë kamioni dhe një magazioner në një magazinë të këtij fshati, që merret me tregtimin e pemëve dhe perimeve. Janë spekuluar emra se bëhet fjalë për dy vëllezër të ndaluar, por këto lajme nuk janë vërtetuar nga MPB. Banorët e këtij fshati në periferi të Shkupit kanë bërë thirrje që të mos manipulohet me emra dhe detaje të paverifikuara, duke u keqpërdorur nga portale anonime dhe rrjetet sociale.

Kjo sasi lënde narkotike është kapur në brendësi të një kamion me banane që ka hyrë pardje nga Mali i Zi në Shkodër (Shqipëri) dhe ka dalë po pardje nga dogana e Qafë Thanës për në Maqedoninë e Veriut, duke pasur si destinacion periferinë e Shkupit.

Informacionet e para po ashtu thonë se kokaina fillimisht ka ardhur nga Kolumbia (Amerika e Jugut) në Bar (Mal i Zi) e duhej të përfundonte në Koper (Slloveni). Kamioni është me targa të Maqedonisë dhe gjendet i bllokuar nga policia në magazinën e frutave në Krushopek të Sarajit.