Operacioni i rrallë në Kosovë, 27-vjeçarit i shpëtohet parakrahu i prerë në vendin e punës

Në sallën operative të Klinikes Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, është kryer me sukses një operacion shumë i rrallë dhe i ndjeshëm, për herë të parë në Kosovë. Në momentin e pranimit në Klinikën Emergjente, sipas SHSKUK-së, pacienti e kishte pothuajse të prerë komplet parakrahun e majtë, gjatë punës me fleks në vendin e tij të punës.

Mjekët kirurgë bashkë me anesteziologë dhe pjesën tjetër të ekipit operativ, kanë kryer operimin tek një 27-vjeçar, duke i realizuar dy bypasse (urëzime), në pjesën e arterieve që ushqejnë dorën me gjak. Për të rikonstruktuar arteriet e lënduara të pacientit, ekipi mjekësor përdori venën sipërfaqësore të pacientit (Vena saphena magna).“Ekipi i orotopedëve bëri fiksimin e të gjitha kockave të prera, ekipa e Kirurgjisë Plastike ka bërë qepjen e muskujve dhe të tendinave, ndërsa ekipa e Neurokirurgjisë një pjesë të qepjes së nervave do ta bëjë pas 4 jave” – thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.

Pas operacionit janë kryer ekzaminimet kontrolluese, ku është konstatuar se intervenimi kirurgjik ishte kryer me sukses dhe pacienti pas 14 ditë hospitalizimi, dje, më 16 dhjetor është liruar për në shtëpi, në gjendje të mirë shëndetësore.