Operacion gjysmë sekret/ Kina bën dërgesë të sofistikuar kundërajrore në Serbi

Aleati rus, Serbia ka marrë ditën e sotme dorëzimin e një sistemi të sofistikuar kundërajror kinez në një operacion të fshehtë, mes shqetësimeve perëndimore se një grumbullim i armëve në Ballkan në kohën e luftës në Ukrainë mund të kërcënojë paqen në Rajon.

Mediat dhe ekspertët ushtarakë bënë me dije ditën e sotme se gjashtë avionë transporti Y-20 të Forcave Ajrore Kineze u ulën në aeroportin civil të Beogradit herët të shtunën, që thuhet se mbanin sisteme raketore tokë-ajër HQ-22 për ushtrinë serbe.

Avionët kinezë të mallrave me shenja ushtarake u fotografuan në aeroportin Nikola Tesla të Beogradit. Ministria e mbrojtjes e Serbisë nuk është përgjigjur akoma në lidhje me lajmin.

Dorëzimi i armëve mbi territorin e të paktën dy vendeve anëtare të NATO-s, Turqisë dhe Bullgarisë, u pa nga ekspertët si një demonstrim i shtrirjes globale në rritje të Kinës.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç konfirmoi shpërndarjen e sistemit me rreze të mesme që u ra dakord në 2019, duke thënë të shtunën se ai do të paraqesë “krenarinë më të re” të ushtrisë serbe të martën ose të mërkurën.

Edhe pse Serbia ka votuar në favor të Kombeve të Bashkuara në rezolutat që dënojnë sulmet e përgjakshme ruse në Ukrainë, ajo ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër aleatëve të saj në Moskë ose të kritikojë hapur mizoritë e dukshme të kryera nga trupat ruse atje.

Burimi: Washington Post