Onkologji, kërcë*nohet infermierja që denoncoi keqpërdorimet

Pas publikimit të dëshmive nga infermierja e Onkologjisë, Maja Jakimova tha se nuk arrin të realizojë takim as me drejtorin organizativ të klinikës Nehat Nuhi, madje as me ministrin e Shëndetësisë Bekim Sali. Ajo tha se i është ndërruar edhe vendi punës brenda repartit, por dëshmon se ka fakte të reja për keqpërdorimet financiare, siç pretendon ajo, të drejtorit Nuhi në Onkologji. Jakimovska thotë se këto dëshmi do t’i dërgojë në organet e hetuesisë.

“Konkretisht unë kisha kërcë*nime, kisha edhe… si tu them ndëshkime, por jo dënim konkret por jam eliminuar nga vendi im i punës. Sipas orarit në muajin tetor isha njëjtë kujdestare së bashku me dy kolege të tjera, të parën e mbajtëm dhe kur panë se organizojmë dhe kërkojmë të na paguhen kujdestaritë me datë 5.10 u hoqa nga kujdestaritë unë dhe koleget e mia, megjithatë duke mos pasur mënyrë si ta arsyetojnë atë dhe duke synuar që me këtë do të më bëjnë të heshti dhe frikësojnë ata kërkonin faj”, tha Maja Jakimova, Infermiere në Onkologji.

Nga drejtoria as sot nuk deshën të flasin para kamerës, por me shkrim përgënjeshtrojnë të gjitha indiciet e infermieres. Në përgënjeshtrimin e firmosur nga Nuhi thuhet se infermierja nuk përfaqëson stafin e tyre.

“Në lidhje me mjetet e aprovuara nga Fondi Shëndetësor theksojmë se me datën 16.08.2022 është miratuar vendim me të cilin janë paraparë mjete në para të dedikuara për rritje të shpenzimeve në bazë të ndryshimit të Ligjit për Rrogë Minimale dhe ato mjete u janë paguar të punësuarave në klinikë. Lidhur me orët e kujdestarisë së infermieres M.J. theksojmë se në përputhje me evidencën për kujdestari dhe për orët e punës, ato janë rregulluar plotësisht sipas rregullave në fuqi të klinikës”, njoftojnë nga Drejtoria e Klinikës së Onkologjisë.

“Me të dëgjuar indiciet e infermieres Maja Jakimova, nga drejtoria e Onkologjisë kanë organizuar peticion për të ju kundërvënë gjitha deklaratave të infermieres, por në bazë të informacionit të siguruar nga Alsat, këtë peticion e kanë nënshkruar pothuajse të numëruara në gishta nga i gjithë personeli infermierisë dhe stafi jo mjekësor”, raporton Adnan Qaili. Në arsyetimin e peticionit sqarohet kryeinfermierja e Onkologjisë.

“Në konsultim me infermieret në Klinikë theksojmë se personi M.J. nuk është përfaqësuese zyrtare e infermiereve siç është prezantuar, andaj distancohemi nga të gjitha deklaratat e saj”, tha Daniella Gjorgiovska, Kryeinfermierja në Onkologji.

Në dëshminë që posedon Alsat thuhet se për përmes komunikimit të tyre me SMS-porosi, Gjoriovska pranon para Jakimovës se urdhri për peticion vjen nga drejtori Nuhi dhe nuk kishte asgjë personale me të. Jakimova tha se posedon dhe shumë dëshmi të tjera për skemat e shfrytëzimit të terapive të shtrenjta të kancerit për qëllim të rishitjes dhe përfitimeve personale të udhëheqjes. Ajo tha se drejtësinë për vete do ta kërkoj në gjykatë, kurse denoncimin në media e bën për hir të pacientëve që vdiqën në pritje të terapive./Alsat.mk