OMK konfirmon se mjeku Zenel Kabashi vdiq nga koronavirusi

Oda e Mjekëve të Kosovës ka konfirmuar se mjeku Zenel Kabashi, i cili u nda sot nga jeta, ishte i infektuar me koronavirus. Vdekjen e doktor Kabashit OMK e ka cilësuar si humbje të madhe për shëndetësinë e Kosovës.
Postimi i plotë i OMK-së:

Sot më datë 25 nëntor 2020 është ndarë nga jeta anëtari i OMK-së, Prof Dr Zenel Kabashi si pasojë e infektimit nga virusi Covid-19. I ndjeri Prof. Kabashi ka kontribuar në ngritjen e kapaciteteve në fushën e mjekësisë, sidomos në lëminë e mjekësisë interne dhe gastroenterologjisë, meqë ai ishte edhe Profesor pranë Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës.

Angazhimi i tij në shëndetësinë kosovare do të jetë si udhërrëfyes për gjeneratat e ardhshme të mjekëve si dhe komunitetit të mjekëve në përgjithësi.

Vdekja e tij është një humbje e madhe për shëndetësinë tonë dhe në emër të anëtarësisë së saj, OMK i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes, miqve dhe gjithë komunitetit të mjekëve!.