Omicroni më i lehtë se Delta, por me përhapje më të shpejtë

Përhapja e tij është shumë më e lartë por shumë pak të infektuar përfundojnë në Spital apo me komplikime të rënda shëndetësore. Kështu tregojnë studimet e fundit shkencore të realizuara në shumë vende të botës. Megjithatë ekspertët druajnë se nëse ky variant përhapet me shpejtësi të madhe në vend, numri i lartë i të infektuarve mund të sjellë mbingarkesë për sistemin tonë shëndetësor.

“Dje dhe sot po dalin studime të ndryshme. Tre prej tyre janë serioze, njëra nga Amerika, njëra nga Britania dhe njëra nga Afrika e jugut të cilat tregojnë se rëndesa e sëmundjes nuk është aq e shprehur, rrjedhshmëria e sëmundjes pritet të jetë më e butë në krahasim me variantin Dellta. Ka edhe studime të cilat tregojnë se kryesisht virusi prek organet e sipërme të frymëmarrjes dhe shumë rrallë infeksioni lëshohet në rrugët e poshtme të frymëmarrjes. Ka edhe dëshmi nga studimet e fundit se numër i vogël i të infektuarve përfundojnë në spital apo me komplikime të rënda”, tha Aleksandar Petlickovski, Instituti i Imunologjisë në Shkup.

Petlickovski konsideron se në prag të festave të fund vitit, kufizimi i numrit të pjesëmarrësve nëpër ambiente të mbyllura do të kishte ndihmuar shumë në parandalimin e një vale të re.

“Nuk mendoj se mbyllja e kufijve apo mbyllje e tërësishme e shtetit do kishte qenë masë produktive por jam për kufizime nëpër ambiente të mbyllura gjatë periudhës që pason. Mendoj se kjo realisht mund të parandalojë një valë të madhe intensive”, u shpreeh Aleksandar Petlickovski, Institute i Imunologjisë në Shkup.

Përskaj masave kufizuese, ekspertët potencojnë rëndësinë e vaksinimit si përgjigje ndaj të gjitha varianteve të reja të virusit. Argumentet shkencore flasin se doza e tretë e vaksinës, dukshëm është më efikase ndaj variantit Omikron ku jep rreth 80% mbrojtje.