Oliver Spasovski a do të futet në garë për kreun e Kumanovës?!

Gara brenda LSDM-së në Kumanovë për kreun e Komunës së Kumanovës ka filluar para kohe. Para disa ditëve e ka zyrtarizuar garën për kreun e Kumanovës, Martin Kostovski, deputet dhe kryetar i LSDM-së dega në Kumanovë, shkruan Almakos.

Përveç tij, në garë si duket është edhe kreu aktual i komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski i cili si duket nuk e ka zyrtarizuar kandidaturën e tij ende, pasi që ekzistojnë paqartësi të shumta rreth tij në degën e Kumanovës.
Në anën tjetër, Oliver Ilievski, sekretar gjeneral i LSDM-së në Kumanovë, si dhe drejtor i Ndërmarrjes Publike, Ekonomia e Ujërave për regjionin e Kumanovës dhe Likovës, përmes postimeve të sponsorizuara në rrjetet sociale, po paraqet zgjidhje tre dimensionale për shumë probleme në qytetin e Kumanovës. Ai në këtë mënyrë po bënë fushatë të hapur për t`u futur në garën për kreun e Kumanovës, edhe pse ende nuk është zyrtarizuar asgjë.

Kjo amulli ose lojë me kandidat të ndryshëm, jo zyrtarisht marrim vesh, është një përgatitje terreni për ta nxjerr në garë ministrin aktual të punëve të brendshme, Oliver Spasovski.
Maksim Dimitrievski ka përkrahjen e fuqishme të shqiptarëve në Kumanovë. Në anën tjetër, Oliver Ilievski nuk i ka fort punët mirë me shqiptarët. Ndërsa Martin Kostovski është vetëm një lloj ekuilibri në këtë mes.

Në të kaluarën, kemi parë shumë deklarata kundërshtuese midis Maksim Dimitrievskit dhe partisë së tij, LSDM në lidhje me shumë tema të caktuara, duke nisur nga raportet me Bullgarinë e deri në luftën me pandeminë Kovid 19. Nga qasja e tillë direkte e kryetarit aktual, ka qenë e qartë se ai nuk do ta ketë përkrahjen e partisë për t`u kandiduar përsëri në zgjedhjet lokale të cilat pritet të mbahen në tetor të këtij viti. Por pyetja thelbësore e cila parashtrohet në këtë moment është: a guxon që LSDM-ja të rrezikoj ta humb Kumanovën?