Oligarku shqiptar, Samir Mane nën hetime nga SPAK-u?

Oligarku nga Shqipëria, Saimir Mane dyshohet se është nën hetime nga Struktura e Posaçme Kundër-Korrupsionit (SPAK) në Shqipëri.

SPAK, e cila ka hapur hetime kundër veprave korruptive ndaj disa sërë figurash të larta politike në Shqipëri, dyshohet se e ka vënë nën “llupë” për vepra të dyshuara korruptive edhe Saimir Manen.

Hetimet e prokurorëve të SPAK-ut ndaj njeriut më të pasur në Shqipëri, i ka përmendur gjatë kësaj jave kryetari i Partisë së Lirisë dhe ish-presidenti, Ilir Meta.

Meta është marrë në pyetje nga SPAK-u nën dyshimet për korrupsion të lartë. Ai ka thënë se prokurorët e SPAK-ut e kanë pyetur për kontrata publike ku është përfshirë Mane.

Konkretisht, ish-presidenti Meta tha se prokurorët e kanë pyetur nëse ka ndërhyrë pranë kreut të Autoritetit të Komunikimeve Postare dhe Elektronike për llogari të Manes, i cili ka qenë një prej pronarëve të kompanisë telefonike ‘PLUS’.

Sipas Metës, SPAK ka kërkuar që të gjejë lidhje mes Manes, dhe tij, për shkak se biznesmeni ka blerë një vilë në Qerret, nga familja e tyre.

Vila në fjalë është blerë për shifrën e 300 mijë eurove, dhe sipas Metës, prokuroria po kërkon nëse shitja e saj ka lidhje me çështjen e kompanisë telefonike, ku ai ka pasur një takim me biznesmenin, në cilësinë e ministrit të ekonomisë.

“SPAK është një organizatë karagjoze, do me patjetër të më krijojë një lidhje me mikun tuaj, të dashur, Samir Mane, i kërkoj falje që po i përmend emrin, unë nuk e kam fshehur raportin miqësor që kam pasur me të, do të krijojë lidhjen se çfarë ka ndodhur me ato 300 mijë euro që është blerë shtëpia nga ana e Samirit, dhe më pas ta ka shitur ty. Unë nuk e di se pse është deklaruar në atë vit e jo në një vit tjetër. Thonë se nga një përgjim, që del se unë kam ndikuar te Pirro Xhixha, për të favorizuar Samirin për këto te telefonisë”, tha Meta.

“Është rasti i Plus që 10 apo 15 pronarë shqiptarë ngrinin pretendimin se kreu i AKEP po i dëmtonte. Nuk ka qenë vetëm Samiri më takimin që unë kam zhvilluar, ka qenë Armando Duka, kanë qenë pafund pronarë. Do të nxjerrë një lidhje për një gjë që nuk ekziston”, u shpreh Meta.

Saimir Mane është pronar i ‘Balfin Group’, një gjiganti investues me bazë në Tiranë.

Balfin, është grup investues në pronësi të Saimir Manes, që njihet si njëri nga biznesmenët më të fuqishëm në Shqipëri dhe pronar i një rrjeti biznesesh edhe në Austri, Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi, Itali, Dubai, ShBA dhe Greqi.

Grupi i kompanive Balfin ushtron aktivitet në fushat e minierave, tregtisë me pakicë, bankave dhe ndërtimit.

Operacionet e ‘Balfin Group’ të Manes janë të shtrira edhe në Kosovë, ku grupi drejton dy biznese, bazuar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK).

Në ARBK, kompania e oligarkut Mane del se operon në tregun e Kosovës me kompanitë ‘Neptun Kosova Sh.P.K.’ dhe ‘Kid Zone Sh.P.K.”. Për disa vite, një kompani e grupit ‘Balfin’ i kishte blerë aksionet e gjigantit metalurgjik Ferronikeli, të cilat më pas i kishte shitur te një kompani turke, aktualisht pronare e ndërmarrjes.