Oksigjeni mbaroi! Zero shpresë për të gjetur të gjallë 5 pjesëtarët e mininëndetëses

Oksigjeni ka mbaruar. Sipas vlerësimeve të rojes bregdetare amerikane, nga ora 13:18 e ditës së sotme, sipas orës tonë pesë anëtarët e ekuipazhit të mini nëndetëses së zhdukur nuk do të mund të marrin më frymë.

Prandaj, gara me kohën për të gjetur dhe për të nxjerrë mini-nëndetësen në sipërfaqe duket e përfunduar, edhe nëse kërkimet vazhdojnë.

Ekspertët thonë se kanë skaduar 96 orët e oksigjenit që skuadra kishte në dispozicion brenda mininëndetëses së zhdukur prej të dielës së kaluar. Kërkimet deri më tani kanë qenë të pasuksesshme, dhe ekspertët shpjegojnë se edhe nëse mininëndetësja “Titan” do të gjendej së shpejti, do të duheshin të paktën katër orë të tjera për ta nxjerrë nëndetësen në sipërfaqe dhe për të hapur kapakun.

Ne nuk e dimë se sa kohë do të zgjasë, por në një skenar normal operimi ne mendojmë se do të duheshin rreth dy orë për të zbritur dhe rreth dy orë të tjera (për t’u kthyer lart). Sa më shumë të kalojë koha, aq më pak shanse për sukses” thanë Alistair Greig, profesor i inxhinierisë detare në Kolegjin Universitar të Londrës dhe Rob Larter, gjeofizikan detar në Anketa Britanike e Antarktikut, në një konferencë nga Qendra e Medias Shkencore, e ndjekur nga BBC, Alistair Greig, pasi u pyetën se sa kohë mund të duhet për ta sjellë nëndetësen në sipërfaqe pasi të gjendet.

Pesë persona ndodhen në anijen Titan, e cila u zhduk të dielën, 700 kilometra larg brigjeve të Newfoundland, gjatë një eksplorimi për të parë rrënojat e Titanikut.

Në bordin e nëndetëses ishin, biznesmeni pakistanez Shahzada Dawood dhe djali i tij, Suleman si dhe Hamish Harding, një biznesmen dhe eksplorues britanik 58-vjeçar. Dawood i përket një prej familjeve më të pasura të Pakistanit. Ai është administrues në Institutin SETI. Eksploruesi francez Paul-Henry Nargeolet 73 vjeç gjithashtu është në bord, si dhe Stockton Rush, shefi ekzekutiv i OceanGate, kompania që financoi zhytjen.