OKB, thirrje talebanëve: “Hapni shkollat për vajzat, po dëmtoni një brez të tërë”

OKB-ja u ka bërë sërish thirrje talebanëve të marrin “masa urgjente” për të rihapur shkollat e mesme për vajzat në Afganistan , duke e quajtur mbylljen njëvjeçare të shkollave “të paprecedentë, të turpshëm dhe tragjik“.
“Sot bëhet një vit që kur vajzat në Afganistan janë përjashtuar nga arsimi i mesëm. Një vit njohurish dhe mundësish të humbura që nuk do të gjenden më kurrë. Vajzat e kanë vendin në shkollë. Talebanët duhet t’i lënë të kthehen”, shkruan në Twitter Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Pas marrjes së pushtetit në Afganistan në verën e vitit 2021, talebanët ndaluan vajzat të shkonin në shkollë. Më 23 mars, shkollat e mesme të vajzave ishin të hapura vetëm për disa orë përpara se talebanët të shpallnin mbylljen e tyre përsëri.. Lëvizja islamiste që atëherë ka pohuar se shkollat mbeten të mbyllura për shkak të një “problemi teknik” dhe se do të rihapen sapo të finalizohet një program i bazuar në rregullat islamike.

Sipas OKB-së, “më shumë se një milion vajza”, kryesisht të moshës 12 deri në 18 vjeç, u penguan të shkonin në shkollë vitin e kaluar shkollor, gjë që nuk ndodhi për djemtë, pasi shkollat e mesme për ta u rihapën më 18 shtator 2021 . Është një përvjetor tragjik, i turpshëm që mund të ishte shmangur ”, komentoi sot Markus Potzel , ushtrues detyre i Misionit të Asistencës së OKB-së në Afganistan (UNAMA).

“Nuk ka asnjë justifikim të besueshëm për përjashtimin e vazhdueshëm të vajzave nga shkollat e mesme” , shtoi ai, duke theksuar se “askund në botë nuk ndodh diçka e tillë”.
“Kjo dëmton thellësisht një brez vajzash dhe të ardhmen e Afganistanit ”, theksoi Potzel.
“Mohimi i arsimit cenon të drejtat më themelore të grave dhe vajzave. Rrit rrezikun e tyre të margjinalizimit, rrezikun e dhunës, shfrytëzimit dhe abuzimit”, theksoi UNAMA në deklaratën e saj.

“I takon talebanëve të krijojnë kushtet që do të promovojnë paqen, gjithëpërfshirjen, sigurinë, të drejtat e njeriut dhe rimëkëmbjen ekonomike. Komuniteti ndërkombëtar mbetet i gatshëm të mbështesë një qeveri që do të përfaqësojë të gjithë popullsinë dhe që do të respektojë të drejtat e tyre”, përfundoi ai.

Pas kthimit në pushtet më 15 gusht 2021, talebanët kanë vendosur kufizime të rënda për gratë dhe vajzat: ata mbyllën shkollat e mesme të vajzave në shumicën e provincave dhe i ndaluan ato të punojnë në sektorin publik. Në të njëjtën kohë, ata u kërkuan vajzave dhe grave që të mbulohen plotësisht kur dalin jashtë shtëpisë