OKB – Të paktën 351 civilë ukrainas të vrarë në konflikt

Kombet e Bashkuara thonë se të paktën 351 civilë janë vrarë dhe 707 janë plagosur që nga lufta me Rusinë që shpërtheu në Ukrainë dhjetë ditë më parë.

Megjithatë, agjencia pranon se numri ka të ngjarë të jetë “dukshëm më i lartë”.

Ukraina pretendon se të paktën 2,000 civilë kanë vdekur në konflikt, raporton skynews.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut thotë se “marrja e informacionit nga disa vende ku luftimet intensive kanë vazhduar u vonua dhe shumë raporte ishin ende në pritje të vërtetimit”.

Qindra viktima mësohet se kanë ndodhur në Volnovakha, ku evakuimet do të bëheshin gjatë një armëpushimi të përkohshëm sot.

Megjithatë, kjo u ndal papritur pasi granatimet vazhduan përgjatë korridorit humanitar.