Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi të mërkurën një rezolutë për të dënuar Rusinë për nisjen e pushtimit të Ukrainës dhe kërkoi që Moska të ndalte luftimet dhe të tërheqë forcat e saj. Ky vendim ka për qëllim izolimin diplomatik të Rusisë në këtë organizatë ndërkombëtare.
Rezoluta, që u mbështet nga 141 anëtarë nga 193 sa janë gjithsej në OKB, i mbylli punimet e një seance urgjente që u thirr nga Këshilli i Sigurimit, teksa forcat ukrainase po luftojnë në portin e Hersonit dhe po përballen me sulme ajrore.
Në rezolutë dënohet “agresioni i Rusisë kundër Ukrainës”. Herën e fundit që Këshilli i Sigurimit i OKB-së kishte thirrur një seancë urgjente të Asamblesë së Përgjithshme ishte në vitin 1982, thuhet në ueb-faqen e OKB-së.
Tridhjetepesë anëtarë, përfshirë Kinën abstenuan, ndërkaq Rusia, Siria, Bjellorusia, Koreja e Veriut dhe Eritrea votuan kundër rezolutës.