OKB nuk e përkrah Zvicrën për ndalimin e mbulesës së fytyrës


Votimi mbi ndalimin e mbulesës së fytyrës, duke përfshirë edhe mbulesat për tërë trupin, të cilat përdoren nga gratë myslimane, shkel të drejtat e njeriut, ka thënë Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut (OHCHR).
“Zvicra është duke iu bashkuar një numri të vogël të shteteve, ku diskriminimi aktiv ndaj grave myslimane është i sanksionuar me ligj”, ka thënë zëdhënësja e OHCHR-së, Ravina Shamdasani.
“Dhe kjo është tejet fatkeqe”, ka thënë ajo.

Rreth 51.2 për qind e popullit zviceran ka votuar të dielën në të mirë të ndalesës, e cila shënjestron gratë që vendosin burka dhe nikab.
Ndonëse në letër ndalesa vlen për të gjitha llojet e mbulesave në përgjithësi, kjo votë është shtyrë përpara nga grupet e ekstremit të djathtë dhe ato kundër Islamit, të cilat nuk e kanë fshehur asnjëherë qëndrimin e tyre për këtë çështje.

Qeveria federale, në anën tjetër, ka bërë fushatë kundër ndalesës.
Sipas ligjit, liri të tilla mund të kufizohen vetëm për të mbrojtur sigurinë publike, shëndetin, moralin, apo të drejtat themelore të të tjerëve.