Ohër, gjysmë milion euro dëmi nga vërshimet e 17 marsit

Rreth gjysmë milionë euro janë vlerësimet e para të dëmeve që i shkaktoi moti i rëndë që përfshiu Ohrin më 17 mars. Dallgët e larta dhe era e fuqishme jugore bënë kërdi rreth bregut të liqenit. Më të dëmtuara ishin objektet hotelierike në afërsi të bregut si dhe shtëpitë e banorëve rreth liqenit, por edhe një pjesë e plazheve. Banorët e Ohrit kanë paraqitur dëme të platformave, fasadave të shkatërruara të shtëpive ndërsa kanë paraqitur edhe makina të dëmtuara si dhe dru të rrëzuar. Moti gjithashtu kishte goditur edhe disa hotele. Është interesante që inspektorët kanë evidentuar se shumë dëme janë shkaktuar ndaj objekteve ilegale.

Tërë ajo që është në përputhje me dispozitat ligjore dhe ajo që është e lejuar do ta vendosim në seancë të Këshillit. Mendoj se është më se e qartë se janë ndërtuar ilegalisht. Për këtë thash se në suazat e mundësive ligjore, qytetarët e dëmtuar do të kompensohen – deklaroi Jovan Stojanovski, kryetar i Ohrit.

Disa nga hotelierët e Ohrit edhe më tej i riparojnë dëmet, një pjesë tashmë e kanë bërë këtë ndërsa për shkak të nivelit të lartë të liqenit, sipërfaqet me plazhe edhe më tej janë të vogla.

Vështirë se do të mund ta kthejmë në gjendjen fillestare, por do të tentojmë – u shpreh Violeta Janevska, koncesionere plazhi në Ohër.

Dëmet i riparojmë nga xhepi jonë. Vera po vjen dhe duhet të jemi të përgatitur – tha Lupço Patçev, pronar i objektit hotelierik.

Nga komisioni komunal për vlerësimin e dëmeve për Alsat M shprehen se deri tek ta kanë arritur gjithsej 122 kërkesa dëmshpërblimi. Gjysma janë nga objektet afariste gjegjësisht restorante dhe plazhe ndërsa gjysma tjetër nga persona fizik. Fjalën e fundit rreth dëmshpërblimit do ta ketë Qeveria. Në ndërkohë, pranë komunës së Strugës janë dorëzuar vetëm katër kërkesa dëmshpërblimi edhe atë nga qytetarët sepse një numër i madh i platformave të dëmtuara janë vendosur ilegalisht dhe për to nuk ka mundësi ligjore që të kompensohen financiarisht.