Oga: Mos e bëfsh pikën e hajrit o Albin Kurti

Nga Edi Oga
Në kuptimin e mirë të fjalës!
Je kush je, ke bërë çfarë ke bërë, sot e tërë shqiptaria i ka sytë nga ty!
Ke bekimin (e shprehur me votë) të gjysmës së shqiptarësve të Dardanisë dhe (i bindur) të shumicës së shqiptarëve të Shqipërisë!

Me përjashtim të pushtetarëve të Tiranës!
Ata sot ndihen “të dhjerë” të tërë, pa përjashtim!
Edhe ata që të urojnë edhe ata që heshtin!
Ti u ke treguar të gjithëve se si bëhet rezistencë në kohë pushtimi!

Ti u ke treguar të gjithëve se si qëndron në burg një shqiptar!
Ti u ke treguar të gjithëve se si shkohet në luftë!
Ti u ke treguar të gjithëve se si mbrohet një kauzë që beson!

Ti u ke treguar të gjithëve se si bëhet opozitë në një shtet të pavarur dhe sovran!
Ti u ke treguar të gjithëve se si merret pushteti me aleanca parimore!
Ti u ke treguar të gjithëve se si lëshohet pushteti kur rrethanat e kërkojnë!

Ti u ke treguar të gjithëve se si mbrohet çeshtja kombëtare!
Ti u ke treguar të gjithëve se si fitohet zemra e popullit!
Ti u ke treguar të gjithëve se si fitohen zgjedhjet!

Ti i ke treguar gjithë Botës mbarë se je shqiptar dhe se shqiptarët janë një popull i civilizuar po aq sa popujt e vendeve nordike! Kosova i dha një shembull të paprecedent Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sidomos këtyre të fundit dhe sidomos pas asaj që ndodhi atje në Janar!

Kosova organizoi zgjedhje të lira dhe demokratike në mes të pandemisë dhe një të ftohti me temperatura nga ana e poshtme e termometrit!
Pa asnjë incident! Pa asnjë sherr! Pa asnjë kontestim!
Kosova i numëroi votat në pak orë dhe humbësit uruan fituesit!

Ndërkohë minjtë e politikës në Tiranë i ka kapur paniku dhe u janë prishur planet!
Nga sot, ata janë vendosur në një presion të shtuar popullor për të mbledhur mendjen dhe për t’i lënë mënjanë planet djallëzore për të vjedhur zgjedhjet apo për t’i anatemuar ato!

Mjaft më! Këtij populli i ka ardhur aty ku nuk mban dhe nuk po ka as dëshirë, as fuqi që t’i bashkohet lojës së ndyrë të partive politike! Taktika e tyre djallëzore për të relativizuar të keqen dhe për të garantuar riciklimin periodik të pushtetit të të njejtëve fytyra të degraduara, tashmë duket sikur nuk pi më ujë! Populli gjithnjë e gjen një mënyrë për të treguar shpirtin e tij vital!

Koha për ndryshimin e madh ka ardhur!
Kosova dhe Albin Kurti vendosën një standart të ri në mënyrën se si funksionon demokracia! Dashur pa dashur, herët a vonë, Shqipëria është e detyruar të ndikohet fort nga gjysma e saj përtej kufirit!

Albin Kurti ka fituar betejën më të ashpër të jetës, por e pret një luftë e egër!
Ai është i ndërgjegjshëm për këtë!
Ai e di që ka mjaft armiq! Ka armiq në Botë, në Kosovë por edhe në Tiranë!

Ka armiq të betuar pushtetarët, të cilëve u prishi rehatinë sot e sidomos në të ardhmen, sepse ata e dinë mirë se, nëse Albin Kurti ia del të bëjë mirë për Kosovën, i ka dyert e hapura edhe në Shqipëri!
Sepse Albin Kurti është shqiptar!