OEMVP: Ndihmat për rrogat të paguhen në llogaritë e punëtorëve

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore si institucion që i mbron interesat e kompanive anëtare, vlerëson lartë punën e institucioneve shtetërore si dhe ka synim ndërtimin e partneritetit me po të njëjtat që të krijohen kushte më të mira të të bërit biznes, si dhe rritje ekonomike dhe zhvillim në vend.

Na ndajnë disa muaj nga shënimi i 1 vjetorit kur Maqedonia e Veriut, si shumë shtete të botës, hyn në pandeminë e koronavirusit – Covid 19, duke sjell pasoja të mëdha ekonomike dhe rënie në indikatorët makroekonomik. Për të rikthyer ekonominë në trajektoren normale, vlerësojmë se Qeveria në periudhën vijuese duhet ta përqendrohet në:

Fillimin e procesit të vaksinimit kundër Covid 19, me qëllim që hapja e ekonomisë të ndodhë sa më parë dhe të jemi në një hap me vendet e rajonit dhe më gjërë; Realizimi i investimeve kapitale në normë prej minimum 85%; në mënyrë që të stimulohet aktiviteti ekonomik, duke përfshi aktivitetet përcjellëse;

Themelimi i një fondi të veçantë për Kompanitë e sektorëve më të goditur siç janë, Industria Prodhuese, Ndërtimtaria, Tregtia me shumicë etj; Ulja e Tarifave doganore si masë për përkrahje të përgjithshme të ekonomisë; të largohen barrierat jotarifore të cilat pengojnë këmbimin tregtar të mallrave dhe shërbimeve me shtetet fqinje; nxitje të eksportit, nëpërmjet përkrahjes së prodhuesve të orientuar në eksport, si dhe të bën promovimin e tyre nëpërmjet misioneve diplomatike të cilat do të promovojnë prodhimtarinë e vendit;

Qasje e targetuar e përkrahjes qeveritare ndaj kompanive vendore; Transparencë në harxhimin e mjeteve buxhetore për trajtimin e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19. Edhe pse ekonomia u godit në tërësi, për dallim nga sektorët tjerë, Turizmi dhe HOREKA ishin që pësuan më shumë dhe vazhdojnë të punojnë me kufizime duke iu pamundësuar të shfrytëzojnë edhe këtë sezon dimri.

Ne si OEMVP apelojmë deri te Qeveria që të siguron protokolet për punë, me qëllim që këto kompani të mund ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre, me qëllim që të sigurojnë likuiditet dhe ruajtje të vendeve të punës, ngase ky sektor punëson mbi 30.000 persona në vend. Si rrjedhojë e të lartëpërmendurës, ne si Odë propozojmë këto masa: Të bëhet hapja e sektorëve të mbyllur pjesërisht (Turizmi dhe Horeka) dhe sjelljen e protokolleve në përputhshmëri me rekomandimet shëndetësore të Organizatës Botërore të Shëndetësisë;

Vazhdim i masës për subvencionim të pagave në vlerë prej 14.500 denarë së paku deri në muajin Mars 2021, si masa më e përshtatshme për ruajtje të vendeve të punës; Rritje e fondit të Bankës Zhvillimore të RMV-së, për kreditë me norma të ulëta të interesit; Importi i lëndëve të para të bëhet me 0% akcizë për kompanitë që prodhojnë;

Të ndahen mjete financiare për kompanitë që investojnë në digjitalizim dhe rritje të kapaciteteve teknologjike; Anulimi i tatimit të fitimit deri në vitin 2022 për kompanitë të cilat janë prekur më së shumti nga pandemia; Të anulohen të gjitha vendimet për suspendim dhe moratorium të planeve urbanistike nëpër komunat ku pengohen projektet e investimeve ndërtimore, të cilat arrijnë vlerë deri mbi 500 milion euro.