OEMVP me propozim masa të reja për Qeverinë e RMV-së

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) si institucion që i mbron interesat e kompanive anëtare, vlerëson lartë punën e institucioneve shtetërore, si dhe ka synim ndërtimin e partneritetit me po të njejtat që të krijohen kushte më të mira të të bërit biznes, si dhe rritje ekonomike dhe zhvillim në vend.

Me qëllim të matjes së efektit direkt të pandemisë së koronavirusit-COVID-19 mbi ekonominë dhe bizneset, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore zhvilloi një anketë me bizneset e vendit për të pasur një pasqyrë reale të gjendjes së shkaktuar nga ky virus.

Bazuar mbi përgjigjet e vetë bizneseve në këtë anketë, OEMVP nxorri konkluza mbi disa çështje të ndryshme të cilat po zhvillohen gjatë ditëve të fundit.

Anketa shpalosë shumë dukuri që tangojnë biznesin, duke filluar nga ajo se si zhvillohet veprimtaria e tyre afariste në këtë periudhë të pandemisë, 27% të të anketuarve janë përgjigjur se veprimtaria e tyre ende ka vazhdimësi normale në krahasim me periudhën paraprake. Fakti që 33.3% janë përgjigjur se punojnë me orar të shkurtuar, ndërsa 31.7% thonë se punojnë me kapacitet të reduktuar, tregon për rrezikun që ballafaqohen kompanitë në funksionimin e tyre.

Përgjigje brengosëse dalin edhe nga pyetja se a ka pësuar ndryshim numri i të punësuarve. 52.9% thonë që për momentin ai numër nuk ka pësuar ndryshim, 29.4% pohojnë se kanë bërë reduktime tek numri i stafit, ndërsa 17.7% thonë nëse nuk marrin ndihmë nga shteti, do të detyrohen edhe ata të bëjnë reduktime në numrin e të punësuarve.

Në lidhje me masat ekonomike të Qeverisë për bizneset dhe ekonominë, shumica e kompanive i vlerësojnë si joadekuate. Një numër i konsiderueshëm mendojnë se nuk do të shfrytëzojnë këto masa dhe subvencione shtetërore për të rimëkëmbur bizneset.

Sipas anketës, 57.1% e të anketuarve kanë bindjen se masat nuk ndihmojnë bizneset. 25.4% janë përgjigur se masat janë pjesërisht të qëlluara, ndërsa vetëm 6.3% mendojnë se masat janë të qëlluara. 38.1% janë përgjigjur se këto masa të parapara nuk janë të aplikueshme për veprimtaritë e tyrë, ndërsa 23.8% janë përgjigjur se nuk do t’i shfrytëzojnë këto masa.

Fakti që bizneset janë duke u dëmtuar dhe se masat aktuale të Qeverisë nuk ndihmojnë aspak dhe e pasur parasysh shëndetin publik si interes të përgjithshëm, OEMVP propozon masa të menjëhershme që do të ndihmojnë ekonominë dhe biznesin që të jetë likuid në këtë fazë të krizës. Këto masa do të sigurojnë ruajtjen e vendeve të punës, që paraqet interes të përbashkët të vendit dhe kompanive, do të ulin kostot operative të kompanive, do të ndihmojnë kompanitë të marrin huazime të reja për të shlyer detyrimet nga palët e treta dhe po ashtu do të siguron konsumin, që është baza e ekonomisë vendore.

Duke pasur parasysh urgjencën e situatës, OEMVP-ja propozon këto masa:

Borxhet e shtetit ndaj kompanive private të kthehen me prioritet, pasi që likuiditeti i shumë kompanive vendohet në rrezik në këtë periudhe krize;
Kthimi i TVSH-së të realizohet me prioritet për prodhuesit dhe ata që janë të orientuar ndaj eksportit;
Shfuqizimi i akontacionit mbi tatimin në fitim, pasi që 2020-ta do jetë vit me humbje për shumicën e kompanive, dhe avancimi i fitimit gjithsesi do të ndikojë në likuiditetin e tyre;
Produktet që Qeveria i konsideron si esenciale për jetën e qytetarit, të cilat importohen të kenë 0% kosto të doganës, pasi që çmimi hyrës i të njejtave është rritur, ndërsa kompanitë kanë kufizim të rritjes së çmimeve;
Subvencionim i pagës së punëtorëve në vlerë minimale mesatare prej 20,000 den neto;
0-0,30 % normë interesi për kredi të reja që do të ju nevojiten kompanive nga Bankat komerciale në vend. Kjo normë e interesit të mbulohet nga ana e shtetit, përkatësisht Qeverisë;
Kredi me norma interesi minimale dhe procedurë të thjeshtëzuar për kompanitë që kanë projekte zhvillimore.
Sipas OEMVP-së, realizimi i masave duhet të realizohet sipas këtyre parimeve:

Masat të aplikohen me prioritet në afat sa më të shpejtë;
Të përkrahen të gjitha kompanitë dhe masat të jenë inkluzive për të gjitha përshkak se të gjithë njëlloj janë të goditur nga situata;
Përkrahja për subvencionim të pagave të zgjasë minimum 3 muaj;
Kreditë me normë interesi 0-0,30% të kenë minimum grejs periudhë prej 6 muajsh;
Partitë politike të mos shërbehen me krizën e COVID19 për poena politike.