Oda hotelerike-turistike: Agjencitë turistike kërkojnë ndihmë nga qeveria, këtë nuk mund ta durojmë

Oda e hotelierike-turistike që funksionon në kuadër të Lidhjes së Odave Ekonomike kërkon ndihmë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, pasi siç thonë, edhe pse janë të hapura për punë, sërish shënojnë rënie të fitimit, pasi interesi për udhëtim është shumë i ulët.
Këtë e arsyetojnë edhe me faktin, sepse shumë shtetet evropiane kërkojnë test PCR për shtetasit e Maqedonisë së Veriut, ndërkaq vaksinimi ende është larg qëllimit kryesor – imunizimit kolektiv.

“Thuajse të gjitha shtetet evropiane ende janë të mbyllura për ne. Ne jemi në zonën e kuqe. Nuk mund të shkojmë si turistë në ato vende. Ne jemi të hapur për turistët e huaj, por për fat të keq, shtetet amë, gjatë kthimit të tyre në vend kërkojnë ose test PCR ose karantinë. Interesimi për udhëtim është në minimum, thuajse se nuk ekziston. Fitimi në agjencitë turistike ka rënë mbi 80%, kurse në pjesën më të madhe edhe 100%”, thanë nga Oda e hotelierike-turistike.

Ata folën edhe për pakon e pestë ekonomike.
“Nuk ka ndihmë të vazhdueshme nga shteti për ne. E shohim se çfarë po ndodh me pakon e 5 të masave, këtë nuk mund ta durojmë, jemi të revoltuar, sepse gjatë presim për miratim të një pakoje”, shtojnë më tej.
Ndërkaq, kanë njoftuar, se edhe ndihmën që e kanë marrë nga shteti gjatë vitit të kaluar, ka qenë e vonuar, kjo sepse kërkesa edhe pse është bërë në muajin prill, ndihmën e kanë fituar në muajin dhjetor.