Oda e Hotelerisë dhe Turizmit: “Të lëshohet teleferiku në Brezovicë dhe vaksinimi të mos jetë kusht për hyrje”

Kërkohet të lëshohet teleferiku në Brezovicë dhe vaksinimi të mos jetë kusht për hyrje.
Oda e Hotelerisë dhe Turizmit (OHT) ka thënë se Brezovica është qendra më e madhe në Kosovë për skijim dhe brenda stinës së dimrit ka shumë turistë.
Në njoftimin e OHT-ës thuhet se adhuruesit e resortëve dimërore e të skijimit, nuk po munden ta shfrytëzojnë teleferikun në Brezovicë, pasi që sipas tyre teleferiku akoma nuk është lëshuar.
Komunikata e plotë:

SEZONA PO PËRFUNDON, BREZOVICA AKOMA NUK ËSHTË FUNKSIONALE!
Brezovica si çdoherë në stinën e dimrit vizitohet nga shumë turistë në këtë kohë, pasi që bora ju mundëson atyre që të skijojnë.

Aktualisht Brezovica është qendra më e madhe në Kosovë për skijim dhe brenda stinës së dimrit ka shumë turistë.
Por, për fat të keq adhuruesit e resortëve dimërore e të skijimit, nuk po munden ta shfrytëzojnë teleferikun në Brezovicë.

Kjo për arsye që teleferiku akoma nuk është lëshuar, edhe pse është dashur të lëshohet që nga data 25 dhjetor 2021, ndërkohë që teleferiku në Brezovicë është një ndër atraksionet më të vizituara, sidomos tani me ardhjen e mërgimtarëve në Kosovë, dhe kjo që po ndodh është një humbje e madhe nëse nuk parandalohet menjëherë!

Për këtë arsye shumë subjekte hoteliere/turistike janë ankuar sepse si pasojë e kësaj po anulohen shumë rezervime nëpër resortet e Brezovicës.
Gjithashtu, një tjetër ankesë apo pakënaqësi e cila është prezente tash e disa ditë është se në pikën kufitare ‘‘Jazhicë Glloboqicë’’ nuk po lejohen të hyjnë vizitorët nëse nuk e kanë dëshminë e dy vaksinave, pra nuk po vlen as testi negativ PCR apo dëshmia se personi ka kaluar COVID-19.

Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës kërkon që sa më parë të ketë ndërhyrje në këto dy problematika që po shkaktojnë shumë humbje të bizneseve, sepse përveq se masat AntiCovid e kanë rënduar gjendjen e bizneseve tej mase, kjo që po ndodh këto ditë sezone që duhen shfrytëzuar nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë.