Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi për fillimin e testimit në masë të tre ilaçeve për trajtimin e mundshëm të sëmundjes COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi i ri.
Hulumtimi do të bëhet në 52 vende të botës dhe do të përfshijë mijëra studiues në mbi 600 spitale.
Ilaçet që do të testohen janë: Artesunate, i cili tashmë përdoret për trajtimin e malaries së rëndë; Imatinib, që përdoret kundër disa kancereve dhe Infliximab, i përdorur për të trajtuar disa çrregullime të imunitetit.
OBSH-ja tha se këto ilaçe u zgjodhën nga një panel ekspertësh të pavarur pasi u mor parasysh potenciali i tyre në zvogëlimin e rrezikut të vdekjes të pacientëve me COVID-19 të hospitalizuar.
“OBSH-ja është krenare që po udhëheq këtë përpjekje globale pasi zbulimi i terapive efektive mbetet një nevojë kritike”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Hulumtimi do të bëhet përmes platformës “Solidarity PLUS”, rrjeti më i madh i OBSH-së për bashkëpunim midis vendeve anëtare.
Pas një studimi të terapive të mundshme për trajtimin e COVID-19, studiuesit që përdorin të njëjtën platformë të OBSH-së, vitin e kaluar, arritën në përfundimin se remdesiviri, hidroksiklorina, lopinaviri dhe interferoni, kishin pak, ose aspak efekt tek pacientët e shtruar në spital.
Koronavirusi i ri ka vrarë mbi 4.3 milionë njerëz që kur u paraqit në Kinë në fund të vitit 2019.
Mbi 204 milionë njerëz në botë janë infektuar.
OBSH-ja ka dënuar vazhdimisht hendekun e madh në furnizim me vaksina kundër COVID-19 mes vendeve të varfra dhe atyre të pasura.