OBSH: Rekord rastesh me Covid-19, por jemi kundër rikthimit të karantinës

Rastet e reja me Covid-19 në nivel global thyen për të tretë ditën radhazi rekordet e mëparshme, njoftoi Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Sipas faqes së saj të internetit, në të gjithë botën dje u regjistruan 383 359 infeksione të reja, thënë ndryshe 7,9% më shumë se një ditë më parë, kur ishin regjistruar 355 244 raste.

Të enjten e kaluar u shënua një kulm i ri, me 343 467 infeksione.
Siç dihet, dje, numri i rasteve në botë tejkaloi pragun prej 37 milionë dhe, sipas universitetit ”Johns Hopkins” aktualisht qëndron në 37 105 925, përfshirë 1 071 388 vdekje.
Ndërkohë, Europa dje regjistroi rekordin e dytë rresht ditor të rasteve me koronavirus.

Në 24 orët e fundit, ka pasur 123 684 infeksione, rreth 8.3% më shumë se rekordi i mëparshëm i 114 227 rasteve të regjistruara të premten e kaluar.
Sipas përllogaritjeve të OBSH-së, numri i përgjithshëm i infeksioneve në Europë aktualisht është 6 809 678 persona.
Përballë kësaj situate, OBSH u ka bërë thirrje shteteve që të rishikojnë masat kundër përhapjes së Covid-19.

Sipas saj ”një rikthim në karantinë totale do të ishte shkatërrues jo vetëm për shoqërinë, por edhe për ekonominë e shteteve”.
Ndërkohë, në një peticion të firmosur nga 6 500 shkencëtarë, thuhet se ”jemi shumë të shqetësuar për efektet e dëmshme në shëndetin fizik dhe mendor të shkaktuara nga politikat e miratuara nga qeveritë për Covid-19 dhe rekomandojmë një qasje që ne e quajmë ”mbrojtje e përqëndruar”.

Ata kritikojnë lockdown-in dhe kërkojnë një mbrojtje për më të prekshmit duke i lënë të rinjtë të jetojnë normalisht për të fituar imunitet.
”Politikat aktuale të bllokimit po japin efekte shkatërruese në shëndetin publik, në planin afatshkurtër dhe afatgjatë. Gjetjet përfshijnë nivele më të ulëta të vaksinimit në fëmijëri, përkeqësim të rezultateve të sëmundjeve kardiovaskulare, më pak kontroll të kancerit dhe përkeqësim të shëndetit mendor”, shtojnë ata.