Numri në rritje i rasteve të COVID-19 në të gjithë Europën shumë shpejt mund t’i çojë spitalet në limitet e tyre të kapacitetit, paralajmëroi sot OBSH-ja.
“Javën e kaluar, numri i rasteve të raportuara në Europë ishte pothuajse tri herë më i lartë se gjatë kulmit të parë në mars”, tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një konferencë shtypi në Gjenevë.
“Shtrimet në spital po rriten dhe shumë qytete po raportojnë se do të arrijnë limitet e kapaciteteve të shtretërve në kujdesin intensiv brenda disa javësh”, shtoi ai.
Kjo prirje shqetëson veçanërisht OBSH-në, sepse sezoni i gripit në hemisferën veriore do të rrisë nevojën për shtretër spitalorë.
Tedros theksoi se vendet duhet të ndërmarrin një qasje të përbashkët ndaj COVID-19 dhe gripit, sepse të dy sëmundjet mund të luftohen me të njëjtat strategji, si distancimi, duart e pastra, maskat dhe dhomat e ajrosura mirë.