OBSH: Pandemia luajti një rol negativ për trajtimin e kancerit

Në dy vitet e fundit, pandemia ka pasur një ndikim të fortë negativ tek njerëzit me kancer, tha Hans Kluge, drejtor i Zyrës Rajonale të OBSH-së për Evropën.

“Nesër është Dita Botërore e Kancerit dhe unë do të doja të përfitoj nga ky rast për të nënvizuar efektet shkatërruee të pandemisë tek njerëzit me kancer gjatë dy viteve të fundit. Ndikimi i Covid-19 shkon përtej vetë sëmundjes”, tha ai.

Kluge deklaroi se një në katër persona në Evropë dhe Azinë Qendrore është diagnostikuar me kancer gjatë jetës së tyre.

Sipas tij, kanceri është një nga shkaqet kryesore të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në rajonin evropian.

Në dy vitet e fundit, depistimi, diagnostikimi dhe trajtimi i kancerit ka qenë tepër i vështirë, duke shënuar një rast të paprecedentë, pasi shërbimet shëndetësore janë përpjekur t’i përgjigjen Covid-19.

Ai dha edhe disa shembuj, si më poshtë vijojnë:

Në fazat e hershme të pandemisë në Belgjikë, diagnoza e tumoreve invazive u ul me 44%, në Itali ekzaminimet për sëmundjet kolorektal u ulën me 46% mes 2019 dhe 2020, edhe në Spanjë numri i personave të diagnostikuar me kancer në 2020 ishte 34% më i ulët se sa pritej.

Studimet e fundit të OBSH-së për vazhdimësinë e shërbimeve bazë shëndetësore gjatë pandemisë Covid-19, tregojnë se shkalla e dështimit për kujdesin ndaj kancerit, depistimin dhe trajtimin, në tremujorin e fundit të 2021 ishte 5-50% në vendet raportuese.

Ai theksoi gjithashtu se 30-40% e rasteve me kancer në Evropë janë të parandalueshme.