Ka mundësi shumë të pakta që njerëzit të riinfektohen me Covid-19. Pohimi vjen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë pas raportimeve se një person në Hong Kong ka kaluar koronavirusin e ri për herë të dytë në një interval kohor të 4 muajve.
Duke folur për gazetarët në Gjenevë, zëdhënësja e agjencisë shëndetësore të Kombeve të Bashkuara Margaret Harris vuri në dukje se rasti në fjalë ishte domethënës. Sipas universitetit të Hong Kongut shkencëtarët që konfirmuan këtë zhvillim zbuluan se gjurmët e virusit tek personi i infektuar ishin ndryshe nga ato të 4 muajve më parë.
“Është e rëndësishme të theksojmë se numrat janë shumë të ulët. Ky është një rast i dokumentuar në 23 milionë të prekur dhe me shumë mundësi do të shohim dhe raste të tjera të dokumentuara. Por duket se nuk është një zhvillim i vazhdueshëm pasi ne do të shikonim dhe shumë raste të tjera”, deklaroi Margaret Harris, zëdhënësja e OBSH-së.
Ndërkohë Organizata Botërore e Shëndetësisë arriti së fundmi në konkluzionin se pandemia koronavirus po ngadalësohet në botë. Gjithashtu thekson se niveli i vdekshmërisë është ulur ndjeshëm duke krahasuar të dhënat gjatë muajve të fundit. OBSH bën me dije se ka shndërruar në prioritet studimet lidhur me imunitetin e masës.
“Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se çdo të thotë kjo sa i përket imunitetit dhe prandaj ne kemi shumë grupe kërkimore që po gjurmojnë njerëz dhe masin antitrupa, për të kuptuar sa zgjat mbrojtja e sistemit imunitar, pra mbrojtja natyrale”, vijoi zëdhënësja e OBSH-së.